English

Obama paralajmëron sanksione për Iranin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se bashkësia ndërkombëtare ka qëndrim të përbashkët "rreth sjelljes së keqe të Iranit", dhe se regjimi i sanksioneve ndërkombëtare mund të jetë i gatshëm për disa javë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, parashikon se një raund i ri sanksionesh për ta ndëshkuar Iranin lidhur me programin bërthamor të tij mund të jetë i gatshëm për disa javë.

Obama theksoi se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar rreth, siç tha, "sjelljes së keqe të Iranit". Ai tha se refuzimi i Iranit ndaj planit të Kombeve të Bashkuara që uraniumi të pasurohet jashtë vendit, dëshmon se Teherani po e ndjek kursin , " i cili do ta çojë kah armatimi". "Kjo na sugjeron se, megjithë pohimet e tyre se fuqia bërthamore është vetëm për qëllime paqësore, ata në fakt vazhdojnë ta ndjekin kursin që do të çojë në armatim. Kjo nuk është e pranueshme për bashkësinë ndërkombëtare, jo vetëm për Shtetet e Bashkuara", tha Obama. Komentet e presidentit amerikan, Obama, u bënë pasi media shtetërore iraniane raportoi se Irani kishte filluar procesin e pasurimit të uraniumit në shkallën 20 për qind, për përdorim në reaktorin kërkimor mjekësor. Shtetet e Bashkuara i sinjalizuan Iranit se Uashingtoni është i gatshëm t'i diskutojë mënyrat që Teherani t'i bashkangjitet komunitetit ndërkombëtar, por "ata nuk kanë thënë po", tha Obama. Ai, megjithatë theksoi se oferta për bisedime ende është e vlefshme. "Ata tash e bënë zgjedhjen e tyre, megjithëse dera ende është e hapur. Ajo që do të bëjmë në javët në vazhdim, është zhvillimi i një regjimi të sanksioneve, që do t'ua bëjnë me dije se sa të izoluar janë nga bashkësia ndërkombëtare si tërësi", tha Obama. Ai nuk dha detaje specifike për sanksionet, por vetëm tha se ato do të ofrojnë "disa mënyra" për të bërë trysni mbi Iranin. Presidenti Obama shtoi se është i kënaqur kur sheh që Rusia është dakord se Irani nuk i ka marrë seriozisht shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare. "Kam kënaqësi kur shoh se sa përpara kanë shkuar rusët në këtë çështje. Mendoj se ata e kanë parë qartë se Irani nuk ka qenë serioz rreth zgjidhjes së mosmarrëveshjes së zgjidhshme ndërmjet Iranit dhe bashkësisë ndërkombëtare", tha presidenti amerikan. Të martën, kreu i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Moskë, Nikolai Patrushev, tha se përderisa Irani po insiston se nuk synon armën bërthamore, "veprimet që po i ndërmerr lindin dyshime te vendet tjera dhe këto dyshime janë mjaft të bazuara. /rfe/

KOMENTE