English

Operacioni "Morina" sekuestron 20 mijë palë këpucë kontrabandë, vinin nga Bullgaria

Tiranë, 11 shkurt, NOA - Rreth 20 mijë palë këpucë kontrabandë, dy persona të arrestuar, një tjetër në hetim të lirë ndërkohë si edhe dy të shpallur në kërkim është bilanci i operacionit të koduar "Morina", i organizuar nga forcat e policisë së Tiranës.

Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke bërë me dijeni se të ndaluarit janë Durim Myslia, 23 vjeç; Zymbil Trota, 39 vjeç dhe Bujar Shehu, 40 vjeç (në hetim të lirë); që të tre banues në Tiranë.

Mësohet se ndaj tyre ishte zhvilluar një hetim intensiv 2 mujor prej policisë, ndërsa dyshohet se malli kontrabandë vinte nga Bullgaria për në drejtim të Shqipërisë përmes pikës kufitare të Morinës me destinacionin përfundimtar tregun e Medresesë në Tiranë.

Sekuestrimi i këtij malli kondrabë u realizua pasi u bënë verifikimet e dokumentacionit dhe rezultoi se malli nuk kishte asnjë dokument të origjinës dhe asnjë dokument të zhdoganimit të tij.

Dyshohet se kontrabanda realizohej me dy automjete furgon dhe më pas malli shkarkohej në kamionin tip Benz me targë KU 2536 A, në pronësi të Zymbil Trotas, i cili u sekuestrua së bashku me mallin.

Aktualisht, vazhdon puna intensive për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të personave të tjerë të përfshirë në këtë kontrabandë, kapja e dy personave të shpallur në kërkim dhe puna e përbashkët me organet tatimore të Tiranës.

Materialet proceduriale do t'i kalojnë për hetime të mëtejshme prokurorisë së Tiranës për veprat penale të "Tregtimit dhe trasportimit të mallrave kontrabandë" si dhe "Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë", vepra penale të parashikuara nga neni 178 dh 179 të Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE