Prishtinë, 11 Shkurt NOA - Një nga peshkopët më të njohur të Kishës Ortodokse serbe, Artemije, do të shkarkohet nga posti. Kështu njoftojnë gazetat në Beograd, të cilat u referohen të dhënave nga patriarkana.
Peshkopi, i cili është përgjegjës për Kosovën, akuzohet për shpërdorim posti, pasurim të paligjshëm dhe dhënie pas luksit të shfrenuar.
Radio Dojçe Vele raporton se 75-vjeçari do të detyrohet të japë dorëheqjen, ose do të hiqet kundër dëshirës së tij.
Një komision i lartë peshkopësh është duke hetuar abuzimet financiare të Artemijes. Peshkopi e ka refuzuar bashkëpunimin me komisionin dhe është mbyllur në manastirin e Graçanicës.
Një procedurë shfuqizimi për peshkopin Artemije do të ishte një rast i pashembullt në historinë e re të Kishës Ortodokse.