Beograd, 11 Shkurt NOA - Presidenti i Serbisë Boris Tadiç ka vlerësuar se serbët në Kosovë janë populli më i rrezikuar në Evropë, prandaj KFOR-i duhet të vazhdojë t'i mbrojë ata, si dhe kishat dhe manastiret serbe, pavarësisht zvogëlimit të ushtarëve në Kosovë.
Zyra për shtyp e presidentit serb njoftoi se Tadiç i ka bërë këto komente gjatë takimit me komandantin e NATO-s për Evropën, gjeneralin Xhejms Stavridis, me të cilin ka biseduar për aktivitetet e Serbisë në programin Partneriteti për Paqe dhe për bashkëpunimin me KFOR-in. "Presidenti i Serbisë ka pohuar se plani për integrimin e veriut të Kosovës përbën kërcënim për stabilitetin në tërë rajonin", thuhet në komunikatë që citon radio Evropa e Lirë.