"Tepër gjatë padrejtësitë historike kanë qenë arsyetim për aplikimin e padrejtësive të reja. E vërteta është se në mënyrën si e interpretojmë të kaluarën, para së gjithash tregohen synimet tona"
Nga Ranko Krivokapiç*
Kryetar i Parlamentit të Malit të Zi
Ngado që të nisemi në histori, nga Ilirët deri te qytetarët e Bashkimit Europian, gjithmonë do të takohemi me rrënjët e gërshetuara të shteteve dhe qytetarëve tanë.
Së bashku jemi të vendosur në një hapësirë ku në dimensionin historik dhe gjeografik, pandërprerë takohen, përshkohen ose konfliktohen civilizimet, kulturat, religjionet… Ku takoheshin ose ndaheshin Perandoria Romake perëndimore dhe lindore- krishtërimi katolik dhe ortodoks. Krishtërimi dhe islami. Në rajonin ku filloi një luftë botërore dhe porsa përfundoi e fundit në tokën europiane.
Të gjitha këto dhe vazhdimësia e mijëvjeçarit, na kanë mësuar që secila kohë ka sfidat e veta, por edhe sfidat e vjetra kërkojnë përgjigje të reja.
Në fillim dua të theksoj, përgjigja shqiptaro-malazeze dhe besojmë edhe ajo rajonale, është e përbashkët dhe e qartë. Aleanca veri-atlantike dhe Bashkimi Europian.
***
Për herë të parë që nga ndarja e Perandorisë Romake në atë perëndimore dhe lindore e deri te rënia e Murit të Berlinit, në Ballkan po krijohen mundësi historike që t'i takojmë një koncepti të njëjtë politik dhe ekonomik.
Bashkimi Europian është model pa precedent historik, pikërisht për faktin që na ofron fuqinë e vlerave demokratike e jo imponim të forcës. Ne jemi pa ndjenjë inferioriteti, pjesë e pandarë e ekzistencës europiane.
Pjesë e kësaj përgjegjësie të re rajonale Ballkanike të Malit të Zi është edhe nisma jonë shumëvjeçare burimore e Forumit parlamentar të Cetinës. Vërtetojmë se mundemi pa mentorë të zhvillojmë modelet tona të bashkëpunimit parlamentar.
Përgjegjësi rajonale e re është edhe pranimi i Republikës së Kosovës. E përjetojmë si pjesë të procesit tonë të integrimit euro-atlantik dhe të kontributit afatgjatë të stabilitetit në rajon. Udhëheqim politikën e fqinjësisë së mirë, por jo edhe kënaqje keqkuptimesh. Vendimin e kuptojmë edhe si ndihmë të të gjithëve në rajon që të kthehen nga e ardhmja.
Mali i Zi dëshiron të mbetet shembull i suksesshëm në rajon dhe për këtë jemi të gatshëm për statusin kandidat për BE deri në fund të këtij viti. Kemi realizuar të drejtën në regjimin pa viza, por gëzimi ynë është zvogëluar për mosrealizimin e kësaj të drejte për Shqipërinë dhe fqinjët e tjerë.
Ndajmë vetëdijen e përbashkët se përgjegjësia e bashkimit në BE qëndron mbi ne dhe, BE tashmë zemërgjerësisht na ndihmon në përmbushjen e qëllimeve demokratike. BE për Malin e Zi është para së gjithash bashkësi e vlerave dhe jo një donator bamirës.
Mali i Zi e di që lundrimi me të cilin aftësojmë njerëzit tanë të drejtojnë anijen shtetërore, është më i rëndësishëm sesa arritja në portin e quajtur Bashkimi Europian. Qëllimi është të arrijë i gatshëm kurdo që të jetë kjo. Për këtë arsye parimi i regatave nga Selaniku është njësia matëse e drejtë e progresit për secilin prej nesh.
***
Në Shqipëri dhe në Malin e Zi forcohet bindja se Parlamenti është tempulli i demokracisë, me rolin përherë në rritje në shoqërinë bashkëkohore. Parlamenti është institucioni bazë për zgjidhjen me dialog të kontradiktave në shoqëri. Kjo është zakonisht mënyra më e ngadaltë, por edhe mënyra më e mirë për secilin shtet. Posaçërisht shoqëritë tona, pa një traditë të madhe demokratike, nëpërmjet parlamentit krijojnë besim në institucione dhe përgjegjësinë e individit. Krijojnë ndërgjegjen se institucionet janë rojtarët e stabilitetit e të paqes dhe jo individët pa gabim.
Funksioni kontrollues i Parlamentit është një mjet i fuqishëm për arritjen e sundimit të drejtësisë dhe bazuar në të, jetën më të mirë të qytetarëve. Malazezët kanë një fjalë të urtë që nënkupton: "Nuk më vjen keq për një pjesë të vogël, por për pjesën e shtrembër".
***
Dy dekadat e fundit në Ballkanin jugperëndimor kanë qenë kohë të trazirave të mëdha. Rënia e një sistemi të vlerave është zëvendësuar me një sërë luftërash bruate. Tranzicioni i gjatë dhe, sipas rregullit, i vështirë, Ballkanin perëndimor e ka shndërruar në një hapësirë nga ku në botë kanë shkuar kryesisht lajme tragjike dhe shqetësuese. Në vend të kolonave krijuese nëpër Ballkan kanë lëvizur ato të refugjatëve. Në vend të njerëzve që punojnë, hapësira ka qenë e mbushur me të pashpresë. Ballkani perëndimor është dukur si rajon i të dëshpëruarve.
Tepër gjatë Ballkani jugperëndimor ka qenë problem i Europës. Para nesh është koha e përpjekjeve dhe të provuarit që kriminelët e luftës nuk do t'i zëvendësojë krimi i organizuar dhe korrupsioni. Që jemi të pjekur të ndërtojmë shoqëri me sundim të drejtësisë dhe kohezion social nëpërmjet solidaritetit. Që të prodhojmë të mira materiale dhe shpirtërore në ndërlidhjen reciproke.
***
Popujt tanë edhe kanë mbijetuar për shkak të vlerave universale, të cilat i kanë mbrojtur me guxim. Gatishmëria për të mbrojtur lirinë dhe drejtësinë ka zhvilluar një kod të përbashkët të burrërisë dhe trimërisë, të cilat na kanë afruar historikisht.
Përshkimet tona kanë shkruar një çerek shekulli të luftës së përbashkët të Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe Stefan Crnojeviçit kundër dominimit osman. Në luftën e Krujës malazezët kanë ndihmuar fitoren e madhe shqiptare. Gjergj Kastrioti Skënderbeu për atë edhe është bërë daja i Ivan Crnojeviçit, shenjotit të kishës ortodokse malazeze dhe themelues i kryeqytetit mbretëror të Cetinës.
Kryebashkiaku i parë i kryeqytetit tonë, Podgoricës, Mark Milani Popoviç, ka folur shqip shkëlqyeshëm dhe ka shkruaur "Shembujt e burrërisë dhe trimërisë" dhe "Jeta dhe zakonet e shqiptarëve".
Kalorësia na ka lidhur në çdo periudhë të historisë. Për mua njëri nga vendimet më të mëdha në mijëvjeçarin e vazhdimësisë së Malit të Zi ishte atëherë kur mbreti ynë i fundit Nikolla i (I parë) bëri çmos për ruajtjen e multietnicitetit të Malit të Zi. Në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, ka lutur shqiptarët të qëndrojnë në shtetin e tij tashmë të zgjeruar. Iu la njësitë ushtarake shqiptare si dhe komandimin e tyre, e në dekadat e para edhe Sheriatin si ligj suprem. Ajo mençuri dhe besimi i kahmotçëm, të cilin disa nuk e kishin as në shekullin XX, edhe sot e kësaj dite ruan Malin e Zi dhe qytetarët e tij në kohët më të vështira.
Bazamenti i popujve tanë në ndjeshmërinë për të drejtën i ka shërbyer Valtazar Bogishiçit për të koduar më 1888 ligjin më të mirë civil në këto hapësira dhe, i cili, ka bartur edhe gjurmë të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Japonezët duke dashur të kodojnë ligjin e vet zakonor, kanë studiuar ligjin malazez të pronësisë.
***
Shumë herë është vërtetuar se vlerat e mëdha i bëjnë edhe popujt e vegjël, siç janë shqiptarët dhe malazezët.
Edhe lufta që mbaroi para pak kohësh në Ballkan ka treguar që shkatërrimi i shpirtit të njeriut nxjerr te disa më të keqen, e te disa më të mirën në ta. Malazezët kanë ruajtur etikën e vet të trimërisë dhe guximit dhe kanë mbrojtur mbi 100.000 refugjatë nga Kosova. Ishte kjo si e Kanunit të Lekë Dukagjinit: "njeriun që ikën kur të hyjë në oborrin tënd duhet ta mbrosh duke mos kursyer as jetën tënde".
Mali i Zi i tillë është mbrojtur pa përjashtim edhe me votat e shqiptarëve, në kthimin në mes të shteteve të lira në 2006. Besimi që u ndërtua me shekuj ka mbrojtur Malin e Zi multietnik, multifetar- Malin e Zi të qytetarëve. Gjuha shqipe me kushtetutë përdoret lirisht si edhe serbishtja, kroatishtja, boshnjakishtja.
Edhe më shumë se kjo. Flasim me gjuhën e shoqërisë civile, të tolerancës dhe krijimit të vlerave të reja në të gjitha sferat e jetës.
***
E kaluara, për popullin malazez dhe shqiptar ruan leksione të rëndësishme, me të cilat politika e ndërgjegjshme nuk robëron, por edhe nuk i harron. Që nesër Mali i Zi dhe Shqipëria do të jenë partnere në BE. Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s e Mali i Zi është anëtari i parë i radhës. Zhvillimi i demokracisë dhe shoqërisë të së drejtës, si edhe zhvillimi ekonomik afatgjatë janë detyrë e gjeneratës sonë.
Sfidat që qëndrojnë para shteteve tanë dhe rajonit, janë të ndryshme nga të kaluarat, por jo edhe më pak vendimtare. Bashkëpunimi ndërshtetëror i Malit të Zi dhe Shqipërisë, jam i bindur, është në vazhdën e urtësisë të të parëve tanë.
Tepër gjatë këto hapësira kanë prodhuar tepricë historie, qoftë vetëm apo me ndihmën e të tjerëve. Tepër gjatë padrejtësitë historike kanë qenë arsyetim për aplikimin e padrejtësive të reja.
E vërteta është se në mënyrën si e interpretojmë të kaluarën, para së gjithash tregohen synimet tona.
Duhet të mësojmë edhe për gabimet tona, jo vetëm për fitoret.
Komunitetit të popujve europianë, por edhe komunitetit të popujve mesdhetarë, shpresojmë se jemi duke i sjellë më tepër nga çfarë mund të shprehet me numra. Sjellim spiritualitetin e ndërthurur të lindjes dhe perëndimit të cilave koha u ka dhënë një rëndësi edhe më të madhe.
(*) Fjalimi i mbajtur në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë