English

Vdiq kongresmeni që përbuzi Bashkimin Sovjetik

Ish-anëtari i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Çarli Uilson, i njohur për përpjekjet e tij për financimin e luftëtarëve muxhahedinë afganë kundër trupave sovjetike, ka vdekur në Teksas, në moshën 76-vjeçare. Si ligjvënës, Çarli Uilson ka ndihmuar në drejtimin e miliarda dollarëve për agjencinë CIA, e cila ka shpërndarë fonde për blerjen e armatimit për pjesëtarët afganë, në luftë kundër okupuesve sovjetikë

Breffni O'Rourke

Kryelartë, feminist dhe tip "play boy"… janë fjalët që i shkojnë më së miri figurës së Çarli Uilsonit, i cili u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare, si pasojë e një sulmi në zemër. Për kolegët e tij, ai ishte njeriu me të cilin "kalon bukur", ndërsa e ka të sigurt vendin në historinë e SHBA-së dhe të Afganistanit. Ai është personi frymëzues i operacionit më të madh dhe më të suksesshëm, që ndihmoi luftëtarët e Afganistanit, ta çonin ushtrinë ruse drejt disfatës. I bindur se komunizmi ishte një djall, ai pa pushim mbështeti CIA-n, për të ndihmuar me armë të sofistikuara muxhahedinët afganë. Gjatë një interviste të dhënë në 2008-ën për një televizion publik në Amerikë, Çarli Uilson pati thënë: "Unë e përbuz Bashkimin Sovjetik, unë e përbuz komunizmin, dhe unë i përbuz persekutimet. Dhe, kur Bashkimi Sovjetik dërgoi ushtrinë, ata menduan se afganët ishin pa ndihmë, por ata nuk kanë lexuar shumë histori. Dhe, kur ata menduan se ata njerëz ishin pa ndihmë, kjo më preku mua direkt, ndaj dhjetë vjet të jetës time ia kushtova kësaj çështjeje". Dhe, Uilson ishte efektiv në këtë gjë. Si kryetar i një nënkomiteti të Kongresit, ai qetësisht mbikëqyri rritjen e financimeve të CIA-s për fushatën në Afganistan. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, në deklaratën e tij të ngushëllimit theksoi se, "tashmë e gjithë bota e di, që përpjekjet e tij arritën që të zmbrapsnin një pushtues dhe të lironin një popull, si dhe të çojë drejt fundit Luftën e Ftohtë". Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, Devid Obei, e përshkroi Uilsonin si një burrë të guximshëm dhe të palodhur, që e donte vendin e tij dhe që jetën e shijoi në kuptiminin e plotë të fjalës. Dhe, ajo çka thuhej rreth tij nuk kishte se si të mos tërhiqte vëmendjen e Hollivudit. Historia e tij u tregua në 2007-ën, nëpërmjet filmit "Lufta e Çarli Uilson", në të cilin aktori Tom Hanks luante rolin e Uilsonit, në krah të aktores tjetër, Xhulia Roberts.

Filmi sjell atmosferën e operacioneve mjaft të vështira dhe të vrazhda, ku asgjë nuk është ashtu si duket. Në një skenë, Uilson flet fshehurazi me agjentët e CIA-s rreth dërgimit të parave për aktivitetet antisovjetike në Afganistan. "Anëtarët e Komitetit të Kongresit dinë sasinë e dollarëve, por ata nuk dinë se për çfarë përdoren. Kështu që, teorikisht, 10 milionë dollarët mund të bëhen 40 milionë, pa e marrë vesh askush", thuhet në një skenë të filmit. Në të vërtetë, lufta kundër ushtrisë sovjetike u fitua. Por, paqja dështoi, pasi Uashingtoni e tërhoqi vëmendjen nga Afganistani dhe, për pasojë, kaosi mbuloi vendin pas largimit të ushtrisë sovjetike. Uilson fajësoi veten më shumë se kushdo tjetër për këtë. Në një intervistë, që ai e dha më 2001 për "Associated Press", tha se Uashingtoni nuk e përmbushi përgjegjësinë ndaj Afganistanit në periudhën pas-sovjetike, duke lejuar kështu një vakuum pushteti si në Afganistan, ashtu edhe në Pakistan. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, e mbështeti këtë konstatim, por e justifikoi Uilsonin për këtë. Gates shkruan: "Pas largimit të sovjetikëve, Çarli, vijoi të luftojë për popullin afgan dhe ishte kundër lënies së këtij vendi të traumatizuar në fatin e tij. Një paralajmërim, që duhej ta kishim parasysh atëherë dhe duhet ta kujtojmë sot". Historia tashmë u rikthye dhe SHBA-të dhe aleatët e saj janë të angazhuar ushtarakisht në Afganistan, duke luftuar disa elementë, për të cilët Uilson i pati paralajmëruar.

KOMENTE