English

Analistët në Maqedoni: Qeveria, jo e gatshme për integrimin

Shkup, 12 shkurt, NOA - Personalitetet kryesore të Bashkimit Evropian pritet tia bëjnë të qartë Shkupit zyrtar ofertën përfundimtare lidhur me caktimin e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim, në shkëmbim të gjetjes së një zgjidhje të shpejtë brenda disa muajve apo deri kah mesi i vitit lidhur me kontestin e emrit me Greqinë. Qëndrimi i qartë i Brukselit zyrtar do tu bëhet me dije autoriteteve shtetërore të Shkupit nëpërmjet vizitave tashmë të konfirmuara të euro-komisionerit për zgjerim të BE-së, Shtefan Fule, i cili ka përcaktuar vizitën e tij në Shkup më 19 shkurt si dhe vizita e paralajmëruar gjatë javës së ardhshme e përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Ketrin Eshton, e njohur si zëvendësuesja e Havier Solanës.

Diplomacia e aktivizuar e vajtje-ardhjeve e evropianëve është bërë edhe me unanimitetin e SHBA-ve dhe se tashmë BE-së i është lënë në dorë përpjekja për të arritur një zgjidhje për tejkalimin e kontestit midis Athinës dhe Shkupit për emrin e Maqedonisë, theksojnë zyrtarë të lartë evropian në Bruksel, ndërsa në dijeni për planin është edhe ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic.

Evrodeputeti dhe raportuesi i PE-së për Maqedoninë, Zoran Taler ka theksuar se inkurajuese për Shkupin duhet të jetë Rezoluta e miratuar nga Parlamenti Evropian me shumicë votash lidhur me shprehjen e vullnetit për caktimin e datës për Maqedoninë për fillimin e negociatave të saj për anëtarësim në BE. Sipas kësaj rezolute, në takimin e radhës të këshillit të BE-së, duhet të caktohet data për fillimin e negociatave për anëtarësim, mirëpo kjo çështje është ndërlidhur me zgjidhjen e kontestit të emrit. "Duke pasur parasysh atë që Kroacia është pothuajse në BE, Maqedonia ka gjasat e saj të fundit të jetë e suksesshme. Për fat të keq do të jetë katastrofale nëse zvarritet çështja e caktimit të datës dhe moszgjidhja e kontestit të emrit. Ne po bëjmë gjithçka që të ketë pajtueshmëri", ka deklaroi raportuesi slloven Taler në konferencën për shtyp pas votimit të raportit për Maqedoninë. Mendimet e analisteve në Shkup janë të ndryshme në këtë aspekt por ata thonë se janë pesimistë se Maqedonia do të shënojë ndonjë progres deri në mars.

Drejtori i Institutit për Studime Politike dhe Interkulturore (ISPI), Rizvan Sulejmani nuk shprehë vlerësime optimiste.

"Këto deklarata më shumë janë në funksion të inkurajimit të Maqedonisë dhe qytetarëve të këtij vendi që të vazhdojnë rrugën drejt këtij BE-së dhe mos të bien në depresion", ka theksuar, Rizvan Sulejmani, duke shtuar se Maqedonia gjithmonë dërgon sinjale se nuk është e stabilizuar mjaftë që të mund të bëhet një anëtare e denjë e BE-së. Analisti politik Sefer Tahiri konsideron se Qeveria aktuale nuk dëshmon ndonjë gatishmëri të qartë se është për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. "Hapat e saj të fundit si vendimi për ndërtimin e Kishës në qendër të Shkupit, projekti famoz Shkupi 2014 dhe mospërfillja e kërkesave politike dhe legjitime të shqiptarëve, dëshmojnë se qeveria më tepër është e interesuar që të shënojë pikë në planin e brendshëm sidomos VMRO-DPMNE-ja tek elektorati maqedonas sepse siç po duket BDI në këtë qeveria po luan rolin e dekorit politik dhe nuk ka ndonjë relevancë faktike në vendimmarrje edhe sa i përket integrimit, konkretisht zgjidhjes së çështjes së emrit" ka deklaruar analisti Tahiri.

Derisa vijojnë komente të ndryshme dhe sinjale për ditët sërish të numëruara lidhur me procesin e anëtarësimit të vendit në BE, muaji mars është afër dhe pritet të jetë një sfidë e radhës për Maqedoninë, e cila ditëve të fundit po përballet me tensione të ngritura etnike dhe debat të ashpërsuar politik.

NOA-INA

KOMENTE