Nju Jork, 12 shkurt, NOA - Ish-presidenti amerikan Bill Klinton i është drejtuar spitalit pas dhimbjeve të forta që ka ndjerë në kraharor, nga të cilat mjekët dyshuan menjëherë se ai mund të kishte probleme me zemrën.
Mësohet se prandaj ai është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, me qëllimin e hapjes së arterieve koronare, të cilat i rezultonin të bllokuara.
Lajmi është konfirmuar nga këshilltari i tij, Douglas Band, sipas të cilit, pas shqetësimeve në gjoks që ndjeu, Klinton realizoi një operacion ku doktorët i vendosën dy tuba për të mbajtur të hapura arterie, në mënyrë që gjaku t'i qarkullonte lirisht.
Tashmë, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara paraqitet mirë me shëndet.
Ndërkaq, të mos harrojmë se një ndërhyrje të tillë kirurgjikale për zemrën, ai i është nënshtruar edhe në vitin 2004.
Ndër të tjera, thuhet se për shkak të kësaj ndërhyrje të papritur, shefja e Departamentit të Shtetit, Hillari Klinton, e cila është edhe e shoqja e tij, ka shtyrë një udhëtim të
planifikuar për në Arabinë Saudite dhe në Katar.
Bëhet e ditur gjithashtu se të sëmurin e ka telefonuar vetë presidenti amerikan, Barak Obama si edhe ish-presidenti Xhorxh Bush.
a.k/n.e/NOA