Tiranë, 12 shkurt, NOA- Partia Socialiste ka denoncuar dje të dhënat e publikuara nga INSTAT, duke e akuzuar këtë institucion se është në shërbim të kryeministrit Berisha dhe jo të shqiptarëve. Duke u ndalur në rritjen e çmimeve të shërbimeve, deputeti i PS-së, Ilir Beqja u shpreh se "rritja e çmimeve po e bën të papërballueshme jetesën për qytetarët".
Sipas tij vendi po kalon në një krizë gjithnjë e më të thellë. "Qeveria e Sali Berishës refuzon me kokëfortësi të kuptojë sesa e rëndë është gjendja e ekonomisë së vendit. Shqetësimeve të ngritura në vijimësi nga Partisë Socialiste, kryeministri i kutive të mbyllura u është përgjigjur duke keqpërdorur institucionet ndërkombëtare e bankat evropiane, duke na provuar kësisoj se përveçse është i paaftë, nuk di as të lexojë dokumentet ekonomikë ndërkombëtarë", u shpreh Beqja.
Sipas tij, prej tre muajsh INSTAT mban të fshehur një tjetër të vërtetë: "shtrenjtimin e shërbimeve spitalore për 800 mijë shqiptarët e pasiguruar dhe shtrenjtimin e barnave si pasojë e nënçmimit të lekut"
xh/NOA.