Tiranë, 12 Shkurt NOA/ Rajmonda Lajthia - Më në fund qeveria është dorëzuar dhe ka pranuar se do të rishikojë buxhetin e shtetit për vitin 2010. Ministri i Financave Ridvan Bode ka pohuar sot se do të rishikojë shpenzimet duke i ulur ato me 5% nga totali i buxhetit.
E konvertuar në lekë do të thotë se shpenzimet do të ulen me 25 miliardë. Ky fakt vjen si rrjedhojë e mosrealizimit të buxhetit për vitin 2009, si pasojë e efekteve që dha kriza ekonomike.
Por ndryshimi vjen si pasojë edhe e dëmeve të shkaktuara në Shkodër çka do të kërkojë para nga buxheti i shtetit për kompensim.
Gjatë një konference për shtyp Ridvan Bode u shpreh se të ardhurat gjatë vitit të kaluar u mblodhën në masën 92 për qind.
Por i gjendur përballë kësaj situate, Ridvan Bode ka pohuar se qeveria do te pranojë kërkesën e biznesit për amnisti fiskale.
Pas shumë kërkesash, qeveria duket e gatshme që të amnistojë biznesin në detyrimet e prapambetura, çka do të sillte edhe një legalizim të aseteve të tyre.
Pak kohë më parë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë hartoi një platformë ku i kërkonte qeverisë që të kryente amnisti fiskale.
r.l/r.b/NOA