English

Dade: Kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve për kutitë

Tiranë, 12 shkurt, NOA- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama shkon në negociata me kryeministrin Berisha për të hapur kutitë. Ky është qëndrimi që Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade mbajti sot në lidhje me takimin që do të zhvilloj Presidenti Topi me dy drejtuesit politik. Dade u shpreh se ndërkombëtar i kanë dhënë mbështetjen kreu të PS-së për të kërkuar hapjen e kutive.

"Dje grupi parlamentar europian i socialistëve dhe demokratëve i dha mbështetjen zyrtare kauzës demokratike të Partisë Socialiste dhe opozitës shqiptare për hetimin e plotë të zgjedhjeve duke përfshirë hapjen e kutive të votimit", u shpreh ajo.

Në këtë frymë të mbështetjes nga ndërkombëtarët, Dade theksoi se do të jetë dhe qëndrimi i nesërm i Ramës në tryezën e bisedimeve. Ajo u shpreh se tryeza është vijimi i rrugës së zgjidhjes së kauzës për të cilën lufton PS-ja.

"Nesër kryetari i opozitës shkon në tryezë me mbështetjen e popullit opozitar, po edhe të miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë që dje në Strasburg deklaruan zyrtarisht jo vetëm shqetësimin e të gjithë botës demokratike për krizën në Shqipëri, por edhe bindjen se kjo krizë mund të zgjidhet vetëm përmes një hetimi të plotë, transparent e të monitoruar ndërkombëtarisht që përfshin hapjen e kutive të votimit", u shpreh Dade.

Deklaratat e deputetëve të PE-së, Dade i ka cilësuar si qëndrim të gjithë institucioneve të BE. "Përfaqësues të lartë të Europës së lirë e demokratike folën hapur dhe pa asnjë ekuivok duke bashkuar zërin e tyre me tonin për një kauzë që nuk është interesi i një pale e as motiv i një lufte për pushtet, po interesi i Shqipërisë e i demokracisë në vendin tonë", përfundoi ajo.

xh/NOA

KOMENTE