Prishtinë, 12 shkurt, NOA - Çfarëdo ndarje e Kosovës është e papranueshme dhe përjashtohet totalisht mundësia e këmbimit të territoreve të veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës. Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) në Prishtinë, Andy McGuffie, sipas të cilit bashkësia ndërkombëtare i qëndron korrekt këtij vendimi duke e përjashtuar mundësinë e aludimit të saj si të mundshme në të ardhmen.
"Zyra Civile Ndërkombëtare dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë si dhe shtetet që kanë marrëdhënie me Kosovën, mbështesin integritetin territorial të saj në formën çfarë është tani", ka thënë McGuffie duke iu përgjigjur në këtë mënyrë deklaratës të kryeparlamentarit Jakup Krasniqi për mundësinë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, në rast se serbët insistojnë në ndarjen e veriut të Kosovës.
Sipas tij, qëndrimi i ICO-s është se ndarja eventuale e kësaj pjese të Kosovës ose këmbimi i saj me trevën e Luginës së Preshevës, nuk është praktik.
"Duke e parë perspektivën evropiane të Kosovës, shtetet evropiane synojnë që si një nga vlerat kryesore të ruajnë shoqërinë multi-etnike, ku njerëzit do të jetojnë bashkë, pa përpjekje për t'u ndarë", ka thënë McGuffie lidhur me një fakt të tillë.
n.e/NOA