Slloveni, 12 Shkurt, NOA- Kreu i diplomacisë sllovene, Samuel Zbogar ka shprehur mbështetjen dhe garancinë për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda këtij viti.
"Shqipëria do të jetë pa viza në Bashkimin Europian brenda vitit 2010" ka thënë ministri Zbogar. Deklarata e tij është bërë gjatë takimit me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, gjatë një vizite zyrtare që, Meta po zhvillon në Slloveni.Meta ka vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe ka shprehur "mirënjohje për mbështetjen e Sllovenisë".
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta ka deklaruar gjatë takimit me homologun e tij slloven, Samuel Zbogar, se "Shqipëria ka potenciale të mëdha për investime sllovene".
Kreu i diplomacisë shqiptare ka vlerësuar dhe rolin që kanë dy vendet në Ballkan. "Shqipëria dhe Sllovenia janë faktorë të stabilitetit në Ballkan", ka thënë Meta. Gjithashtu, ai ka vlerësuar dhe hapjen e ambasadave respektive në kryeqytetit e vendeve si një hap që do të intensifikoj më tej marrëdhëniet.
Ministri slloven Zbogar ka vlerësuar rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon. Ai është shprehur se Shqipëria dhe Sllovenia kanë marrëdhënie të shkëlqyera, duke konfirmuar dhe hapjen e ambasadës sllovene në Tiranë së shpejti. Gjithashtu ai ka theksuar se është e nevojshme që dy vendet të intensifikojnë bashkëpunimin ekonomik.
xh/NOA