Tiranë, 12 shkurt, NOA - Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u prit nga homologu i tij slloven, Samuel , në kuadër të një vizite zyrtare në Slloveni. Lajmi konfirmohet zyrtarisht për agjencinë e Lajmeve NOA, duke shtuar se në qendër të bisedimeve ishin thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, liberalizimi i vizave, si dhe roli që të dy vendet luajnë në rajon.
Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme të Sllovenisë pasi shprehu kënaqësinë e tij për vizitën e Metës në Ljubljanë, i vlerësoi marrëdhëniet mes Sllovenisë dhe Shqipërisë si të shkëlqyera, duke veçuar se nuk ka asnjë çështje të hapur mes dy vendeve.
Në këtë kuadër, Žbogar tha se hapja e ambasadës sllovene në Tiranë, jo vetëm që tregon interesin e qartë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, por do të japë një kontribut konkret në ngritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve në një nivel shumë më të lartë.
Žbogar gjithashtu shprehu vullnetin e Sllovenisë për të rritur në mënyrë konkrete nivelin e shkëmbimeve tregtare dhe për të inkurajuar interesin e investitorëve sllovenë në Shqipëri, veçanërisht në fushat e energjetikës, infrastrukturës, transportit dhe telekomunikacioneve.
Nga ana e tij, Meta, pasi e falënderoi homologun e tij për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë, shprehu kënaqësinë e tij për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe ndjenjat e miqësisë tradicionale që ekzistojnë mes dy popujve.
Në këtë kuadër, ai shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme që Sllovenia i ka dhënë Shqipërisë për liberalizimin e vizave dhe në proçesin e integrimit Euro-Atlantik.
Meta theksoi se tashmë ka ardhur koha që të dy vendet të angazhohen konkretisht për rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë dhe se hapja e ambasadës sllovene në Tiranë është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.
n.e/NOA