Nëse me 10 shkurt 2007 unë iu prija Monit e Arbenit, që prej asaj dite ata më prijnë mua
Nga Albin Kurti*
Mon Balaj e Arben Xheladini kanë lindur në dy vendbanime të skajshme të hapësirës shqiptare, në Besianë dhe në Bujanoc. Sikurse në të gjitha zonat kufitare të kombit tonë, edhe në Besianë e Bujanoc, fëmijët rriten me shikim nga armiku. Mësojnë ta urrejnë çizmen e ushtarit të huaj ashtu siç mësojnë ta duan tokën që ua shkel ai. Rrëfimi i gjyshit atje nuk është përrallë. Nëna e baba e konfirmojnë gjyshin. Vendi ku banojnë, para se të jetë vendi i fundit larg kryeqytetit tonë, është vendi i parë ku ndaloi dëbimi i mbramë, vendi i betejës së fituar ku u zmbraps armiku, por edhe vendi ku rrezikojmë betejën e ardhshme. Armikun e bën të tillë apetiti i tij. Fshatrat prej nga u dëbuan, shqiptarët i mbajnë për mbiemra. Emrin ta vë prindi e mbiemrin ta vë vendi. Emri i vendit është mbiemri. I vendit që tregon tokën që ta morën e që duhet ta bësh shpirt. Toka e mbetur përtej kufirit më të ri, bëhet mbiemri i brezave të njëpasnjëshëm. Vendi ku s'jetuam dot më, nis e jeton në ne. Hapësira e humbur (në të kaluarën) bëhet kohë (e ardhshme). Besiana e Bujanoci janë shtrirja jonë e kufizuar prej zgjerimit të huaj. Moni e Arbeni janë fëmijë të kufirit. E, secili kufi tregon atë që të ndalohet. Secili kufi është dritare. Historia shqiptarëve ua ka mbyllur dritaret dhe u ka hapur dritare të reja që ua kanë zvogëluar dhomën. Një këso dritare e re, në historinë tonë më të re, ishte Plani i Ahtisaarit. Rebelimi ynë ishte rebelim ndaj historisë. Ne nuk duam dritare të reja, nga të cilat shihen vetëm dritaret e vjetra e të mbyllura, teksa mbështetemi për muri. Nëse nga dritarja në Bujanoc shihet Vranja, nga dritarja e re në Cërnicë, të cilën na e sjell decentralizimi etnik, shihet dritarja e mbyllur në Bujanoc. Demonstrata e 10 shkurtit të vitit 2007 ishte demonstratë kundër përsëritjes së historisë si histori e dritareve të reja, si histori e kufijve që na afrohen. Dëshmorët janë dëshmi e vullnetit për liri e kundër përsëritjes së historisë. Moni e Arbeni janë dëshmorët më të rinj kundër përsëritjes më të re të historisë. Ata njëmend nuk jetuan gjatë. Porse, ata jetuan shumë. Jeta e njeriut nuk matet me jetesën e tij, por me atë që vjen pasi ajo merr fund. Plani i Ahtisaarit u publikua me 2 shkurt 2007, ndërkaq rekomandimi për pavarësi të mbikëqyrur erdhi më vonë, duke pasur datën 10 shkurt në mes. Tri vjet pas rënies së Monit e Arbenit ndodhemi në hyrje të një viti të rëndë, në mos edhe më të vështirë se viti 2007. Qysh tash dihet se këtë vit do ta shënojnë shtypja e përjashtimi i shtresave në mjerim social, protokollet e bashkëpunimit EULEX-Serbi për gjyqësi dhe dogana, shitja e pasurive natyrore dhe e ndërmarrjeve publike fitimprurëse të Kosovës, si dhe bisedimet e reja me Beogradin për veriun e vendit tonë. Përderisa partitë politike bëjnë konkurrencë të ashpër se cila do t'i zbatojë këto në kurriz të popullit, Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta organizojë rezistencën e popullit më fuqishëm se asnjëherë më parë. Marshi i 10 shkurtit ishte marsh i njerëzve të drejtë që donin drejtësi. Ne po ecnim drejt atë ditë. Ne do të ecim drejt gjithmonë. Nëse me 10 shkurt 2007 unë iu prija Monit e Arbenit, që prej asaj dite ata më prijnë mua.
(Fjalim i mbajtur në Akademinë Përkujtimore me rastin e 3 vjetorit të rënies së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit)