Tiranë, 12 shkurt, NOA - Kryesocialisti Edi Rama ka nisur të mbajë së bashku me aleatët e tij opozitarë tryezën politike, një ditë para takimit me presidentin e Republikës, Bamir Topi dhe kryetarin e mazhorancës, Sali Berisha, në të mirë të zgjidhjes së krizës politike në vend.
Në tryezë marrin pjesë kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo; kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka; kreu i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela; kreu i Lëvizjes G99, Erion Veliaj si dhe nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Engjëll Bejtja. Ajo që ka rënë në sy ka qenë mungesa e kreut të Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule.
Pas përfundimit të kësaj tryeze, pritet që opozita të dalë me një vendim të rëndësishëm përsa i përket krizës politike dhe tryezës së dialogut.
Siç u duk edhe nga deklaratat e njëpasnjëshme publike të përfaqësuesve socialistë gjatë ditës së sotme, opozita duket se i qëndron ende vendimit të saj për kërkesën e hapjes me çdo kusht të kutive të votimit të 28 qershorit, tek të cilat sipas tyre qëndron e vërteta e procesit zgjedhor.
Pas takimit që po zhvillohet me dyer të mbyllura priten deklarata nga të pranishmit.
n.e/NOA