"Bota mund të ndikojë në këto zhvillime shumë pak. Por, ne nuk duhet të zbehim mbështetjen tonë për forcat liberale e demokratike që kërkojnë ndryshimin e sistemit. Lufta e tyre është dhe e jona"
English Version Dead-End Russia
Nga Fraser Cameron*
Rusia duhet të ndryshojë kursin e drejtimit nëse nuk dëshiron të përfundojë si vend i botës së tretë, deklaroi së fundi presidenti rus, Dimitrij Medvedev. Medvedev shtoi se ndonëse Rusia është goditur nga një recesion i rëndë mund të jetë një vend i ri deri në vitin 2020, nëse mbështet risitë teknologjike dhe nxitjen e burimeve njerëzore. Problemi shtrohet se këtë retorikë e kemi dëgjuar dhe më parë. Kur Vladimir Putini hyri në Kremlin një dekadë më parë premtoi vendosjen e shtetit ligjor dhe luftë ndaj korrupsionit. Por, nuk kemi parë përparim në shtetin ligjor, kurse korrupsioni është zgjeruar dhe më tej. Nën Putitin, qeveria mori asetet e kompanisë Yukos, Shell dhe BP. Por, nën drejtimin e Putinit u vranë një numër gazetarësh e aktivistësh si Ana Politkovskaja. Me rritjen e çmimit të naftës dhe të gazit, Putini mundësoi pagesat në kohë të rrogave dhe pensioneve. Mirëpo, tani Rusia përballet me kohë të vështira. Fondet e mbledhura gjatë të ashtuquajturave vite të mbara po shkojnë drejt fundit. Kompanitë kryesore si Gazpromi janë afër falimentimit dhe po përballen me mungesë investimesh në sektorin energjetik. Kompanitë e kontrolluara nga shteti po përballen me vështirësi, kurse deri tani ato kanë ngulfatur bizneset e mesme private, çfarë janë themelore për ecjen përpara. Pjesa dërrmuese e infrastrukturës së Rusisë po shkatërrohet. Kemi qindra kompani që nuk kanë asnjë të ardhme. Ka pasur protesta të shtuara nga Kaliningradi në Vlladivostok lidhur me kushtet ekonomike e sociale. Dallimi mes të varfërve e të pasurve është shtuar së tepërmi. Edhe elita nuk beson më në të ardhmen e Rusisë. Ata nuk i mbajnë fëmijët dhe kapitalin në Rusi. Një numër vëzhguesish mendojnë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet ta shtyjnë Rusinë për më shumë reforma. Presidenti Obama ka theksuar shpresën se Moska do ta ndihmojë në dy nga sfidat e politikës së tij të jashtme, Iranin dhe Afganistanin. Deri tani nuk ka pasur asnjë shenjë se Rusia është e gatshme ta bëjë një gjë të tillë. Nga ana tjetër, kreu i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, premtoi ndihmën evropiane në modernizimin e Rusisë. Por, bisedimet për marrëveshjen e partneritetit mes Rusisë dhe BE-së kanë ngecur. Sa i përket elitës ruse, ajo ende dominohet nga mendësia e fitores së gjithçkaje, derisa pala përballë humb gjithçka në negociata. Kjo vlen edhe për qasjen ruse ndaj problemeve të gazit me Ukrainën, apo problemeve territoriale me Gjeorgjinë. Të dy, presidenti Medvedev dhe kryeministri Putin, flasin për të drejtën ruse për një zonë ndikimi. Në Moskë nuk ekziston koncepti se vendet fqinje stabile e të përparuara janë në interesin e Rusisë. Perspektiva për ndryshime në Rusi është e zymtë. Por, opinioni publik po bëhet gjithmonë e më i paduruar sa i përket mosveprimit të qeverisë dhe situata mund të bëhet shpërthyese në të ardhmen e afërt. Bota mund të ndikojë në këto zhvillime shumë pak. Por, ne nuk duhet të zbehim mbështetjen tonë për forcat liberale e demokratike që kërkojnë ndryshimin e sistemit. Lufta e tyre është dhe e jona.
(*) "International Herald Tribune" English Version Dead-End Russia