English

Shtrenjtimi i dritave dhe pasojat

Ngritja e tarifave të energjisë elektrike, thellon gjendjen e rëndë sociale, vlerësojnë përfaqësuesit e bizneseve, ekspertët e ekonomisë dhe sociologët. Ata kundërshtojnë kërkesën e Korporatës Elektro-energjetike të Kosovës për ngritjen e tarifave për energjinë, duke theksuar se në rrethanat ekzistuese sociale në Kosovë, është e rrezikshme të ndërmerret një hap i tillë

Kërkesa e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për ngritjen e tarifave të rrymës elektrike për 14.6 për qind, ka ngjallur reagime që kundërshtojnë një rritje të tillë të mundshme. Ngritja e tarifave të energjisë elektrike do të ndikonte drejtpërdrejt në punën e bizneseve në Kosovë, vlerëson Agim Shahini, drejtues i Aleancës Kosovare të Bizneseve. Ai thotë se kjo do të ketë për pasojë edhe ngritjen e çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm dhe shërbimeve tjera. "Pikërisht ky edhe është problemi kryesor, energjia elektrike është lënda e parë e çdo prodhimi. Çmimet e produkteve rrezikojnë që të rriten për këtë përqindje, sepse po aq ata duhet ta kalkulojnë në koston e produkteve". "Këtë do ta paguajë konsumatori, i cili është në gjendje shumë të rëndë sociale dhe kjo do ta rëndojë edhe më tepër gjendjen e tij. Kjo do t'i godasë më tepër ato kategori që nuk kanë të ardhura mujore", vlerëson Shahini. Ndërkaq, Muhamet Sadiku, ekspert për çështje të ekonomisë nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore "Riinvest", thotë se ngritja eventuale e çmimeve të energjisë elektrike do të reflektonte negativisht në buxhetet familjare, të cilat, sipas tij, do t'i godiste më së shumti. Kjo do ta thellonte shkallën e varfërisë, vlerëson Sadiku, duke shtuar se gjendja aktuale nuk lejon komoditet për askënd që të bëjë ngritje çmimesh. "Pavarësisht nga arsyetimi që jep KEK-u për ngritjen e nivelit të çmimeve dhe pavarësisht se a do ta aprovojë një ngritje të tillë Rregullatori, mendoj se në situatën e tashme askujt nuk do të duhej t'i shkonte ndërmend që të aprovonte ngritjen e nivelit të çmimeve, siç pretendohet". "Prandaj, në rrethanat e tilla sociale, besoj se do të ishte me një rrezik të theksuar që të veprohet në drejtim të ngritjes së nivelit të çmimeve të energjisë", shprehet Sadiku. Edhe sociologu Shemsi Reçica kundërshton ngritjen eventuale të tarifave të energjisë elektrike. Ai thotë se edhe pa një ngritje të tillë, gjendja sociale është jashtëzakonisht e rëndë, për shkak të shkallës së lartë të papunësisë dhe varfërisë në vend. "Rritja e çmimit të energjisë, do të ishte një faktor shtesë, që do të ndikonte shumë në përkeqësimin e gjendjes së shtresave sociale. Kjo do ta rëndonte edhe më tepër gjendjen sociale". "Pra, sipas të gjitha gjasave, ka mundësi që ky vit do të jetë viti i trazirave të mëdha sociale në Kosovë. Kjo, sigurisht se nuk varet vetëm nga ngritja e çmimit të rrymës, por ka ndikim shumë të madh në pakënaqësinë e njerëzve", vlerëson Reçica. Sadiku shpreh mendimin se Korporata Elektro-energjetike e Kosovës, duhet të zgjedhë një rrugë tjetër nga ajo e ngritjes së tarifave për energjinë elektrike. "Kompromisi mund të gjendet, sepse KEK-u nuk mund t'i zgjidhë problemet e menaxhimit të dobët me ngritjen e nivelit të çmimeve". "Menaxhmenti i KEK-ut duhet t'u kthehet problemeve të brendshme në KEK, përmirësimit të performancës financiare dhe zhvillimore, sepse të gjitha këto dobësi, të cilat janë duke e përcjellë tash e një kohë të gjatë, nuk mund të zgjidhen vetëm me ngritjen e nivelit të çmimeve", thotë Sadiku. Sidoqoftë, kërkesa e Korporatës Elektro-energjetike të Kosovës për ngritjen e tarifave të energjisë elektrike, pritet të shqyrtohet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Më 15 mars të këtij viti, kjo zyrë do të vendosë se cilat do të jenë tarifat finale, me të cilat do të ngarkohen konsumatorët prej 1 prillit të po këtij viti. /rfe/

KOMENTE