Tiranë, 12 Shkurt NOA/ Blerina Ahmetaj - Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) akuzon Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës se po largon për qëllime politike rreth 1600 arsimtarë në arsimin 9 vjeçar dhe të mesëm pa asnjë motiv përveç atij politik.
Kryetari i Konfederatës, Kolë Nikollaj, i tha sot agjencisë NOA se Ministria e Arsimit ka nxjerrë këtë javë një urdhëresë krejtësisht abuzive duke ngarkuar normën mësimore javore dhe mujore të mësuesve për të shkurtuar në këtë mënyrë vendet e punës.
"Ky vendim i MASH, është në kundërshtim me kontratën kolektive të punës dhe vjen si pasojë e limitimit dhe shkurtimit të fondeve që buxheti i shtetit i ka akorduar kësaj ministrie, pasojë kjo e krizës ekonomike e cila nuk e pranon se është prekur. Largimet pa kritere nga puna jo vetëm janë antiligjore por dhe selektive duke penalizuar arsimtarët që mendojnë ndryshe politikisht apo kanë anëtarësi në konfederatë", - tha Nikollaj.
Kreu sindikalist Nikollaj u ka bërë apel të gjithë arsimtarëve që t'i bashkohen grevës së përgjithshme e cila pritet të organizohet për këtë çështje pas 2 javësh.
Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar Ministria e Arsimit. Titullari i dikasterit, Myqerem Tafaj ka kundërshtuar akuzën e sindikalistëve duke i justifikuar pezullimet si pasojë e përfundimit të kontratave të përkohshme që mësuesit kanë lidhur me drejtoritë arsimore, kontrata të cilat nuk janë rinovuar më.
b.a/e.r/NOA