English Version Below
Tiranë, 12 Shkurt NOA - Kompania e telefonisë celulare Vodafone Albania ofron një mundësi të veçantë për të sapodiplomuarit me rezultate të shkëlqyera.
Burime nga Vodafone Albania thanë sot për agjencinë NOA se kompania ka njoftuar hapjen e një mundësie të shkëlqyer për studentët më të mirë të sapodiplomuar, e quajtur "Mundësitë e Vodafone Global për të Diplomuarit - Discover Vodafone (‘Zbuloni Vodafone')".
Sipas Drejtores së Departamentit të Burimeve Njerëzore tek Vodafone Albania, Znj. Alma Varfi, zhvillimi dhe nxitja e talenteve është një prioritet për Vodafone.
"Zbuloni Vodafone" është një skemë e re globale e shtrirë në 21 vende, përfshirë dhe Shqipërinë. Përmes saj krijohet mundësi që të sapodiplomuarit më të mirë në të gjithë botën t'i bashkohen Vodafone.
"Dëshirojmë të ftojmë të gjithë ata që sapo janë diplomuar dhe kanë arritur rezultate të shkëlqyera, të aplikojnë për programin "Zbuloni Vodafone". - tha znj. Varfi.
Më tej Varfi shpjegon se nëpërmjet programit "Zbuloni Vodafone" të sapodiplomuarit do të kenë një mundësi reale për të forcuar aftësitë e tyre përmes zhvillimit dhe zbatimit të risive për klientët.
Përgjatë një periudhe 12 mujore, 5 të sapodiplomuarit më të mirë në Shqipëri do të mund të fitojnë përvojë në tre sektorë të ndryshëm, gjë që do t'u japë mundësinë të përfshihen dhe të afirmohen në fushën që do të përzgjedhin, por edhe të përfitojnë njohuri të përgjithshme mbi funksionet e ndryshme të një kompanie globale.
Znj. Varfi thotë se kjo mundësi është shumë sfiduese dhe duke qenë se çdo vit pozicionet janë të kufizuara, gara është e ashpër.
Kjo, nga ana tjetër do të thotë se Vodafone do të investojë fuqishëm për të diplomuarit që do të pranojë.
Përveç një page konkurruese dhe një pakete të shkëlqyer përfitimesh, ata do të kenë gjithë përkrahjen dhe nxitjen e nevojshme që do t'iu duhet për të lënë gjurmët e tyre në kompani.
Gjithashtu, gjatë 12 muajve studentët do të kenë mundësinë të diskutojnë mbi të ardhmen e tyre dhe për mënyrën se si do të donin që karriera e tyre të zhvillohej me Vodafone.
Më shumë informacion mbi këtë program, si dhe mbi procedurën e aplikimit mund të gjendet duke vizituar faqen e internetit www.vodafone.al ose duke klikuar në spotin publicitar të Vodafone tek NOA.