English

Tryeza e opozitës: "Mos hapja e kutive, sjell zgjedhjet e parakohshme"

Tiranë, 12 Shkurt NOA/ Foto update - Përmbledhje - Në prag të tryezës së nesërme të organizuar nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama është takuar pasditen e sotme me aleatët Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Spartak Ngjela, Nard Ndoka dhe Erion Veliaj.

Lideri i opozitës është konsultuar gjatë me të gjithë aleatët, për qëndrimin që do të mbahet të shtunën në tryezë përballë Kryeministrit Sali Berisha.

Në përfundim, kryetarët e partive aleate janë shprehur të një qëndrimi, se pa hapjen e kutive të votimit, nuk mund të ketë hetim të zgjedhjeve dhe transparencë në sytë e shqiptarëve. Kurse vetë Rama refuzoi të fliste me gazetarët.

Nga deklaratat e të vegjëlve të politikës opozitare, ra në sy ajo e Milos. Ai pranoi se nuk do të jetë e lehtë nesër që të ketë një fillim të mbarë nëse mazhoranca do shkojë me mendimin e vjetër që kutitë i ka në dorë ajo, por t'i drejtohet gjykatës.

Nëse do të ndodhë kjo, - paralajmëroi Milo, - Shqipëria rrezikon të rrëshkasë në krizë. Kjo do të sjellë në rrjedhë logjike, zgjedhjet e parakohshme. Opozita është shumë e vendosur, nuk ka asnjë mëdyshje për të ecur përpara deri në realizimin e asaj kërkese legjitimi që ka bërë.

Milo siguroi se nëse mazhoranca do të parashtrojë opsionin e zgjedhjeve të parakohshme, atëherë opozita do të reflektojë për më tej.

"Për mendimin tim personal, nuk besoj se do të ketë ndonjë lëvizje për zgjedhje të parakohshme".

Kurse shtoi se "nesër është vetëm fillimi i një seriali të gjatë bisedimesh për të arritur në një zgjedhje të negociueshme, sepse nuk ka zgjidhje tjetër përveç hapjes së kutive, përndryshe kriza do të thellohet më tej"

Erion Veliaj:

"Kërkesa për kutitë, e panegociueshme. Eshtë fillimi i një hetimi"

Kreu i Lëvizjes G99, tha se ishte një takim informues për vizitën e z. Rama në Strasburg, për takimet me komunitetin ndërkombëtar dhe gjithë takimet për ditën e nesërme.

"Ne si G99 informuam gjithë tryezën për përfundimin e sagës sonë me KQZ dhe mohimin e kutive. Sot ishim para një fakti, ku Ristan Berisha insiston që kutitë s'ekzistojnë dhe praktikisht janë të pavlefshme", - tha Veliaj, i stërvitur edhe ai në batuta dhe lojëra fjalësh me emrat.

Ky është një iluzion që duhet ta heqin të gjithë nga mendja, - vijoi Veliaj dhe përsëriti: "Ne shkojmë për kutitë fizike. Ndaj të kërkosh të kesh tryezë pa kuti është si të kërkosh një sofër pa bukë".

"E vetmja arsye që na bën që të mbështesim tryezën është që kutitë ekzistojnë. Kërkesa për kutitë është e panegociueshme dhe është fillimi i një hetimi. Ka disa njerëz që kanë pyetur me të drejtë nëse ne duam të numërojmë çdo kuti. Për të gjitha për ne është: Kjo s'është lotari. Lotaria e fundit që u bë me rastësi për kompensimin e pronave zgjodhi Kryetaren e kuvendit si fituesen e parë dhe të vetme. Nuk themi që duhet të hapet çdo kuti, ama duhet të hapen parimisht kutitë, çdo kuti që dyshohet. Sigurisht që do hetohet. Ne nuk kërkojmë kuti këpucësh apo kuti hetimesh, por kuti votimesh", - deklaroi shefi i G99.

Spartak Ngjela:

"Të gjithë palët janë të mendimit që nuk mund të hiqet dorë nga hapja e kutive"

"Ka pasur kërkesa të vazhdueshme të opozitës ndaj qeverisë për transparencën e zgjedhjeve, ka një precedent tepër negativë që ne ende nuk kemi bërë asnjë proces zgjedhor brenda standardeve perëndimore. Të gjithë palët janë të mendimit që nuk mund të hiqet dorë nga hapja e kutive. Ne e konsiderojmë hapjen e kutive një përbërës kryesor të demokracisë shqiptare. Çështja e kutive është çështje jetike për demokracinë në Shqipëri. Procesi zgjedhor është i manipuluar. Transparenca të jep të drejtë të besosh se do të vendoset institucioni i votës në Shqipëri".

Paskal Milo:

"Mos hapja e kutive, sjell zgjedhjet e parakohshme"

Bashkohem me shqetësimin që po shprehin gjithë shqiptarët për situatën politike që po ndodhet vendi. Shpresojmë që mazhoranca do t'i japë shpresë Shqipërisë, atë çka opozita ka kërkuar, hapjen e kutive, që t'i japim fund tranzicionit. Nuk do të jetë e lehtë nesër që të ketë një fillim të mbarë nëse mazhoranca do shkojë me mendimin e vjetër që kutitë i ka në dorë ajo, por t'i drejtohet gjykatës. Nëse do të ndodhë kjo, Shqipëria rrezikon të rrëshkasë në krizë. Kjo do të sjellë në rrjedhë logjike, zgjedhjet e parakohshme. Opozita është shumë e vendosur, nuk ka asnjë mëdyshje për të ecur përpara deri në realizimin e asaj kërkese legjitimi që ka bërë. Nëse mazhoranca do të parashtrojë opsionin e zgjedhjeve të parakohshme, atëherë opozita do të reflektojë për më tej. Për mendimin tim personal, nuk besoj se do të ketë ndonjë lëvizje për zgjedhje të parakohshme. Nesër është vetëm fillimi i një seriali të gjatë bisedimesh për të arritur në një zgjedhje të negociueshme, sepse nuk ka zgjidhje tjetër përveç hapjes së kutive, përndryshe kriza do të thellohet më tej.

Nard Ndoka:

"Pa transparencë, s'ka shpresë për shqiptarët"'

Edhe demokristiani i një fraksioni të PDK, Nard Ndoka, ish-ministër Shëndetësie në kabinetin e mëparshëm të Berishës, shkarkuar pas dyshimeve të shumta për abuzime, foli për vjedhje votash:

"Ne jemi të bindur që i kemi faktuar vjedhjet e votave në Shkodër. Një prokurori e organizuar nga një mazhorancë me votat e vjedhura qëndron në pushtet. Ne jemi të vendosur të kërkojmë transparencë, sepse e kemi vërtetuar që në Shkodër janë bërë vjedhje të mëdha dhe kjo gjë mund të ketë ndodhur në mbarë vendin. Nëse nuk do të ketë një transparencë për procesin zgjedhor nuk ka shpresë për qytetarët. Tashmë opozita e majtë dhe e djathtë është e vendosur, madje qëndrimet janë të unifikuara, megjithëse ka një takim nën kryesimin e Presidentit të Republikës. Nuk besoj që ka vend për një rrugë të mesme, ose do të ketë transparencë të hapjes së kutive ose nuk ka zgjidhje të krizës."

e.n/r.b/NOA

KOMENTE