English

Berisha-Fini: Shqipëria dhe Italia, do t'i intensifikojnë raportet

Romë, 13 shkurt, NOA - Kryeministri Berisha gjatë qëndrimit të tij në Itali, është pritur në një takim të përzemërt nga presidenti i Dhomës së Deputetëve italianë, Gianfranco Fini, në Pallatin Montecitorio. Kryeministri Berisha theksoi se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurisë, të mbrojtjes e rendit dhe në fushën e gjyqësorit, është në një nivel shumë të lartë dhe duhet të shërbejë si shembull për bashkëpunimin midis vendeve të tjera. Ndërsa Fini i shprehu atij vlerësimin se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe se e gëzonte fakti që ato po intensifikohen dhe po ngrihen në një nivel edhe më të lartë.

Në takim ndër të tjera, të dy personalitetet diskutuan për fusha me interes të përbashkët për të dy vendet, duke vlerësuar si kryesore bashkëpunimin ekonomik, veçanërisht në fushën e energjetikës.

Përshembull, kryeministri Berisha i bëri me dije Finit se vitin e kaluar u nënshkruan marrëveshje për rreth 4 milionë euro investime në fushën e energjisë, në prodhimin e çimentos etj.

Ai theksoi se është në interesin e përbashkët të dy vendeve shfrytëzimi i potencialeve të mëdha të Shqipërisë, veçanërisht në prodhimin e energjisë nga burimet të ndryshme. Kryeministri tha se janë 440 hidrocentrale të madhësive të ndryshme për t'u ndërtuar në vend dhe bashkëpunimi me Italinë në këtë drejtim është me interes të madh reciprok.

Në këtë kontekst, ai nënvizoi rëndësinë e suksesit të projekteve në fushën e energjisë së rinovueshme, duke përmendur këtu projektet ndërkombëtare të gazit që përfshijnë Shqipërinë dhe Italinë, si një tjetër kusht i domosdoshëm i krijimit të një tregu të qëndrueshëm energji, mbështetjen e projekteve italiane në fushën e energjisë hidrike dhe të erës, domosdoshmërinë e linjën së interkonjeksionit nënujor Shqipëri - Itali, si arterie e domosdoshme e lidhjes së tregut shqiptar me atë europian, nëpërmjet Italisë, etj.

Ai theksoi ambicien dhe objektivin e qeverisë shqiptare për ta kthyer Shqipërinë në një nyjë strategjike për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe eksportimin e saj.

Nga ana e tij, presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Fini shprehu vlerësimin e tij për hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare drejt procesit të liberalizimit të vizave dhe siguroi se Italia do të mbështesë me të gjithë forcën e saj liberalizimin e vizave dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Gjithashtu, Fini theksoi se një urë shumë e rëndësishme miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve janë emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, të cilët përbëjnë një komunitet shumë të rëndësishëm, janë rreth 22 mijë sipërmarrës shqiptarë të cilët operojnë me sukses në Itali dhe me mijëra studentë, të cilët i ka vlerësuar si ambasadorët më të mirë të vendit të tyre.

n.e/NOA

KOMENTE