Prishtinë, 13 shkurt, NOA - Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) nuk do të bashkohet me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), vetëm sa do të bashkëpunojë me të. Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, gjatë ceremonisë së 3-vjetorit të themelimit të kësaj partie, duke propozuar që të ketë koalicione mes këtyre dy partive. "Unë mendoj se kjo tezë nuk është e dashamirëve të LDD-së, as LDK-në, sepse kërkojnë që një fëmijë mirë i synuar, të lindë për tre muaj. Nuk jetojnë me realitetin, por në koncept i kanë vetëm interesat personale, materiale dhe të pozitave të caktuara", ka theksuar kryetari Nexhat Daci.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i LDK-së, Eqrem Kryeziu, ka pohuar se partia e tij dëshiron më tepër bashkimin, sesa hyrjen në një koalicion parazgjedhor me LDD-në.
"Ata, tani për tani, preferojnë të mbeten si subjekt, por të hyjnë në raporte të koalicionit si dy subjekte. Unë preferoj shkrirjen në një parti. Tani të shohim se si do të zhvillohen proceset", ka nënvizuar Kryeziu.
n.e/NOA