Tepelenë, 13 shkurt, NOA - Dy persona, në bashkëpunim me tre të tjerë, pasi dyshohet se kanë vjedhur me thyerje në qytetin e Tepelenës një sërë dyqanesh dhe supermarketesh, kanë mundur të bien në prangat e policisë nën operacionin e koduar "Shëtitësit".
Lajmi konfirmohet zyrtarisht për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se të ndaluarit janë 48-vjeçari Aranit Buzi dhe Florenc Cipllaka, 33 vjeç; që të dy lindur dhe banues në Fier.
Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se në datën 08.11.2009, kanë vjedhur me thyerje gjatë natës dyqanin e personit me iniciale GJ.G, nga Tepelena, duke i marrë një shumë prej 20.000 lekë të reja.
Po gjatë natës së datës 08.11.2009, bëhet me dije se ata kanë vjedhur me thyerje edhe supermarketin e personit me inicialet A.N. nga Tepelena, ku kanë vjedhur rreth 40 karta të ndryshme të kompanive celulare si dhe një shumë 10.000 lekë të reja.
E njëjta natë do të regjistronte prej tyre edhe vjedhjen me thyerje të supermarketit të personit me inicialet A.Z, nga Tepelena , ku kanë vjedhur një shumë prej 50.000 lekë të reja dhe atë të dyqanit të personit me inicialet F.D, nga Tepelena, ku kanë vjedhur një shumë prej 8.000 lekë të reja.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 aparate celulare, 9 karta Sim si dhe një automjet tip Benz taksi me targë FR 801 A, në pronësi të Aranit Buziy, me të cilin dy personat e arrestuar kanë lëvizur për të realizuar vjedhjet e lartpërmendura.
Ndërsa nga ana e policisë po punohet edhe për kapjen e tre personave të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim, ku për arsye hetimi nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të "Vjedhjes së kryer në bashkëpunim ", parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal.
n.e/NOA