English

Papandreu: Me ndihmën e BE, kemi humbur pak nga sovraniteti

Athinë, 13 shkurt, NOA - Greqia ka humbur një pjesë të sovrantitetit kombëtar, në momentin kur Bashkimi Evropian ka vendosur ta mbikqyrë dhe ndihmojë për financat e tij të rrënuara, prandaj duhet patjetër bërë gjithçka për ta rifituar atë.

Një fakt të tillë e ka deklaruar kryeministri grek, Jorgos Papandreu, sipas të cilit "nëse shohim se nuk arrihen objektivat e programit të stabilitetit, ne jemi të vendosur t'i marrim masat e nevojshme shtesë, me qëllim që të realizojmë objektivat tona". Por deklaratat e Papandreut shkaktuan reagimin e ashpër të opozitës.

Lideri i partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re, Antonis Samaras, tha se çështja nuk është se sa partia e tij mbështet qeverinë në këtë ndërmarrje të vështirë, por se sa vetë qeveria mbështet ekonominë greke.

Ndërkaq, ekspertët grekë paraqiten në favor të masave shtesë, të cilat nënkuptojnë dhënien e ndihmës nga pala evropiane.

Panajotis Largovas, i cili është shef i katedrës së Ekonomisë në Universitetin e Peloponezit pohon se do të jetë një shpëtim i përkohshëm për Greqinë, në rast se mendohet që ajo i zgjidh problemet nëse i ofrohen 20 apo 22 miliardë euro.

"Problemi do të mbetet. Prandaj është e domosdoshme të kryhen qysh sot e në vazhdim hapat e tjerë, që janë reformat, zbatimi rigoroz i programit të stabilitetit dhe masa shtesë, që sigurisht do të kenë një impakt social", mësohet të jetë shprehur ai.

n.e/NOA

KOMENTE