English

Reshjet, situata me probleme në disa komuna

Tiranë, 13 shkurt, NOA- Reshjet e shiut dhe të borës kanë krijuar situatë të vështirë në disa qytete dhe komuna të vendit. Lajmi bëhet i ditur nga Qendra Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, e cila ka dhënë informacionin më të fundit në lidhje me situatën.

Në Qarkun e Shkodrës ka pasur reshje shiu, me intervale. Në lartësitë mbi 600 m ka patur reshje dëbore. Në rrethin e Pukës dje dhe sot në vazhdim ka patur reshje bore. Kjo ka bërë që të kalohet me vështirësi rruga Qafë Mali-Fierzë, pasi në këtë aks trashësia e borës ka arritur deri në 40 cm. Polica ka lejuar qarkullimin vetëm mjetet e vogla dhe me zinxhirë, ndërsa mjetet e rënda janë bllokuar për shkak të sigurisë në rrugë. Gjithashtu dhe komuna e Iballës është bllokuar përsëri nga reshjet e borës.

Në rrethin e Mirditës, ka patur reshje shiu dhe situata rrugore është përmirësuar ndjeshëm. Në rrethin e Kukësit ka patur reshje të dobëta shiu, dhe në lartësitë mbi 400 reshje bore, pa ngrica, për rrjedhojë nuk ka akse rrugorë të bllokuar. Në aksin rrugor Qafë Mali-Qafë Shllak, kalohet me vështirësi dhe me zinxhirë. Në këtë zonë komuna e Arrnit vazhdon të jetë e bllokuar. Në drejtim të komunave Grykë Çaj, Bushtricë, Zapod dhe Lekbibaj, qarkullohet me vështirësi dhe në segmente të veçanta për shkak të ngricave, me zinxhirë.

Edhe në qarkun e Dibrës ka patur reshje të pakta bore. Në qytetin e Bulqizës trashësia e borës është 15 cm, ndërsa në zonat rurale ka shkuar deri në 30cm. Rruga që lidh Peshkopinë me Lurën, vazhdon ende e bllokuar, por lidhja e Komunës Lurë realizohet me vështirësi, nëpërmjet Kurbneshit. Në të gjithë territorin e Dibrës vetëm komuna e Trebishtit është bllokuar.

Në qytetin e Korçës lartësia e borës është deri në 15 cm. Policia njofton se nuk ka patur probleme shqetësuese apo akse rrugorë të bllokuar. Ndërkohë që problem është rrëshqitja e dherave në akset kryesore.

xh/NOA

KOMENTE