English

Sot tryeza Topi-Berisha-Rama. Negociata në tryezë për zgjidhjen e krizës politike

Tiranë, 13 shkurt, NOA - Dita e sotme përkon me atë që mund të quhet "përballja e madhe" mes dy liderëve të politikës, kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, në prani të presidentit të Republikës Bamir Topi, për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Takimi i shumëpritur mes palëve mendohet që të jetë hapi i parë i zgjidhjes së ngërçit të krijuar në politikën shqiptare që prej zgjedhjeve të 28 qershorit.

Transparenca e kutive të votimit të këtij procesi zgjedhor, pritet të jetë sot kryefjala e bisedës mes aktorëve politikë shqiptarë, pasi pikërisht ajo është edhe pika më e nxehtë e krijuar mers dy poleve të politikës, që nga 28 qershori i vitt të kaluar.

Kryetari i PS-së, Edi Rama, vazhdon t'i mbetet konseguent kërkesës së tij të kahershme për hapjen e kutive të votimit në ato zona ku socialistët dyshojnë se ka patur manipulime.

Ndërsa kryeministri Berisha, i qëndron idesë së tij se nuk i takon mazhorancës të marrë vendim për hapjen e kutive, kur një gjë e tillë sipas tij i takon vetëm sistemit gjyqësor.

E duket se në këtë vazhdë, ka për të vazhduar edhe përplasja e sotme e dy liderëve politikë tek tryeza me presidentin Bamir Topi.

Nga ana e tij, presidenti i Republikës, pritet që t'u bëjë thirrje të dyja palëve që të gjejnë gjuhën e përbashkët për këtë pikë nevralgjike të marrdhënieve mes tyre, duke u përmendur argumentin e vazhdimësisë së reformave dhe nevojën e funksionimit të institucioneve, në një akord të përhershëm mes mazhorancës dhe opozitës.

n.e/NOA

KOMENTE