English

Tryeza Berisha-Rama, fjala e plotë e Topit

"Duhet të jemi koshientë që i gjithë "background"-i i këtyre marrëdhënieve, në një kontekst të caktuar, patjetër që nuk bënë që biseda, apo dialogu të dalë në përfundime ekstremisht pozitive. Por, mendjet racionale duhet të kuptojnë që është realizuar një moment shumë i rëndësishëm i demokracisë: rifillimi i një komunikimi të drejtpërdrejtë, jo nga distancat, por në tavolinë, sepse ne kemi shembuj shumë pozitivë se si aktorët politikë edhe në të kaluarën kanë realizuar komunikime dhe vendimmarrje shumë të rëndësishme"

Tiranë, 13 Shkurt NOA - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi drejtoi sot tryezën politike të bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës ku palët u përfaqësuan me kryeministrin dhe kreu i PD, Sali Berisha dhe kreu i grupit Parlamentar të PD, Astrit Patozi dhe nga kampi i mahtë nga kreu i Partisë Socialiste Edi Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS, Gramoz Ruçi.

Më poshtë ndiqni të plotë të zbardhur, deklaratën për media nga Presidenti i Republikës: "Jam para jush sot, para përfaqësuesve në terren të medias, përpara opinionit publik shqiptar për të komunikuar rreth tryezës së zhvilluar sot midis Kryeministrit, z. Sali Berisha, i shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, z. Astrit Patozi dhe Kryetarit të opozitës, z. Edi Rama, i cili shoqërohej nga Kryetari i Asamblesë së Partisë Socialiste, z. Gramoz Ruçi. Që në fillim dëshiroj të falënderoj Kryeministrin dhe Kryetarin e opozitës për respektimin e thirrjes për të ardhur në tryezë në vijim dhe në respekt të rezolutës së fundit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në të njëjtën kohë dëshiroj të vlerësoj rolin e partnerëve ndërkombëtarë, të institucioneve ku Shqipëria bën pjesë, në mënyrë të veçantë Këshillin e Evropës ku Shqipëria është anëtare nga korriku i vitit 1995-së, përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Evropian në Tiranë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të gjithë ata që kontribuan që të realizohej tryeza politike e ditës së sotme. Unë e kuptoj, sikurse e kupton çdo shqiptar, që pritshmëria për këtë takim ka qenë e lartë, interesi i medias, i opinionit publik, për të parë një rifillim të dialogut politik të munguar prej kohësh. Unë besoj që momenti më pozitiv i ditës së sotme është predispozicioni për t'u ulur në tryezë, rifillimi i dialogut politik midis dy elementeve substanciale të demokracisë, mes mazhorancës dhe opozitës, e cila ka ditur në vitet e pluralizmit shqiptar të bashkëpunojë, ka ditur të kalojë traumat e bashkëpunimit dhe jam i bindur që edhe takimi i sotëm, i cili angazhoi në më shumë se tre orë, në bisedime të hapura, në bisedime pa komplekse të aktorëve kryesorë të politikës shqiptare, të cilët diskutuan për opsionet e tyre dhe natyrisht dhanë një element shumë të rëndësishëm që tryeza e dialogut do të vazhdojë. Ky ishte një angazhim reciprok i palëve, të cilat vlerësuan tryezën, iu referuan në mënyrë të qartë pikave të rezolutës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, natyrisht duke shprehur edhe pozicionet e tyre specifike. Duhet të jemi koshientë që i gjithë "background"-i i këtyre marrëdhënieve, në një kontekst të caktuar, patjetër që nuk bënë që biseda, apo dialogu të dalë në përfundime ekstremisht pozitive. Por, mendjet racionale duhet të kuptojnë që është realizuar një moment shumë i rëndësishëm i demokracisë: rifillimi i një komunikimi të drejtpërdrejtë, jo nga distancat, por në tavolinë, sepse ne kemi shembuj shumë pozitivë se si aktorët politikë edhe në të kaluarën kanë realizuar komunikime dhe vendimmarrje shumë të rëndësishme. Është substanciale për demokracinë në Shqipëri, për institucionet e saj që ky bashkëpunim të vazhdojë në të mirë të së ardhmes së shoqërisë shqiptare, të fëmijëve tanë, të cilët në mënyrë të qartë aspiratën e tyre e kanë orientuar dhe po e realizojnë hap pas hapi në vizionin euroatlantik. Ne sot ramë dakord që Presidenti të vazhdojë, dhe termi më i gjetur besoj, që ramë dakord, ishte që të eksplorojë, ndoshta po shkojmë në terma jo shumë shqiptarë, por të kërkojë konvergjencën, edhe ky është term internacional, i cili kuptohet nga të gjithë, pikat ku palët mund të gjejnë gjuhën, mund të bashkëpunojnë dhe sigurisht kjo jep shpresë që kjo tryezë, së bashku me elementë të tjerë që kanë të bëjnë jo thjesht vetëm me faktorët politikë, por edhe ekspertizë, gjithmonë mbi bazën e vullnetit politik të shprehur, të vazhdojë dhe të japë garanci që demokracia në Shqipëri do të jetë funksionale, do të jetë efikase në funksion të interesave më madhore të popullit shqiptar. Unë dëshiroj si gjithmonë të mos le pa falënderuar pikërisht median, e cila e ka ndjekur me shumë vëmendje, jo thjesht takimin e sotëm, por në vazhdimësi, sepse është pjesë e shtyllave të demokracisë, ushqen, bën debatin politik dhe mediatik dhe ushqen sugjerimin me informacionin e duhur dhe jam i bindur që media sikurse ka qenë e angazhuar, edhe do të vazhdojë të angazhohet që dhe palët të gjejnë zgjidhjet e duhura në funksion të të gjithëve", - përfundoi deklarata e kryetarit të shtetit.

e.r/NOA

KOMENTE