"E sqarova zotin Berisha se ne nuk kemi punë as me vendimet e gjykatave dhe as me ndonjë përpjekje për të përmbysur rezultatin e nxjerrë në rrugë ligjore përmes hetimit parlamentar. Ne duam vetëm të bëjmë autopsinë e zgjedhjeve të vdekura që zgjedhjet e ardhshme të mos vdesin më nga e njëjta sëmundje"
Tiranë, 13 Shkurt NOA - Pas tre orësh bisedime që patën mes tyre Berisha, Topi dhe Rama, ky i fundit lëshoi një deklaratë për mediat ku qartësoi se kushti paraprak për hapjen e kutive, do të vijojë të mbesë në fuqi.
Më poshtë, ndiqni të zbardhur të plotë deklaratën e Kryetarit të PS, Edi Rama, pas tryezës së Topit:
Dua të falënderoj popullin opozitar, aleatët tanë tradicionalë e të rinj, deputetët dhe drejtuesit e Partisë Socialiste, padyshim miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, për mbështetjen e kauzës historike të transparencës së plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve në Shqipëri, në këtë moment kyç për fatet e vendit.
Falënderoj po ashtu komunitetin ndërkombëtar për angazhimin serioz e parimor në nxitjen e dialogut për daljen nga kriza dhe në mundësimin e tryezës së sotme mes palëve.
I shpreh konsideratën time më të lartë edhe Presidentit të Republikës për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë përpjekje për të zgjidhur një krizë që sipas bindjes sonë të palëkundur i ka rrënjët tek deformimi i vullnetit të popullit para, gjatë, e pas 28 qershorit dhe pa asnjë dyshim, tek pengimi i paligjshëm nga qeveria i transparencës së plotë të zgjedhjeve.
Me zotin Berisha patëm një ballafaqim të hapur të pikëpamjeve të kundërta për thelbin e problemit që nga ana ime jam plotësisht i angazhuar ta zgjidh, por kurrsesi i predispozuar ta mbuloj apo anashkaloj. I nënvizova se ne nuk lëvizim nga parimi themelor i transparencës së plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të shkuara për të çliruar njëherë e mirë zgjedhjet në Shqipëri prej kthetrave të korrupsionit elektoral. Kjo do të thotë se, ashtu sikundër iu bë e qartë edhe bashkëbiseduesit, lënia e kutive të 28 qershorit jashtë objektit të hetimit parlamentar që kërkojmë qysh në krye të herës, do të ishte shkelje e patolerueshme e parimit që na udhëheq në përpjekjen tonë, dorëzim i pajustifikueshëm i së drejtës sonë kushtetuese e ligjore për të nxjerrë në dritën e diellit të vërtetën e kutive të votimit, pranim i palejueshëm i faktit se Shqipëria edhe nesër do të bëjë zgjedhje po kaq të papranueshme sa dje.
Sigurisht që kjo është një çështje vullneti politik e jo interpretimesh subjektive të të drejtave e lirive tona kushtetuese, të cilat jemi plotësisht të vendosur t'i bëjmë themel të zgjedhjeve në Shqipëri jo në favorin tonë, po në interes të të gjitha palëve e në radhë të parë të popullit shqiptar.
E sqarova zotin Berisha se ne nuk kemi punë as me vendimet e gjykatave dhe as me ndonjë përpjekje për të përmbysur rezultatin e nxjerrë në rrugë ligjore përmes hetimit parlamentar. Ne duam vetëm të bëjmë autopsinë e zgjedhjeve të vdekura që zgjedhjet e ardhshme të mos vdesin më nga e njëjta sëmundje.
Dua të jem shumë i drejtpërdrejtë dhe transparent me shqiptarët, të cilët i kishin të gjithë sytë tek tryeza e takimit të sotëm. Unë nuk shkova në atë tryezë për një pazar, por për një parim. Nuk shkova në atë tryezë për të mundur kundërshtarin politik, po për ta ftuar që së bashku të përmbushim një detyrim të politikës ndaj qytetarëve duke e ndarë përgjithmonë Shqipërinë nga tradita e shëmtuar e zgjedhjeve të deformuara e të kontestuara. Nuk shkova në atë tryezë për të kryer një formalitet të quajtur dialog, po për të nxjerrë vendin nga kriza përmes dialogut.
Jam i gatshëm të vazhdoj të përpiqem me të gjitha energjitë e pasionin tim për t'ia dalë, por siç ia thashë hapur e shumë sinqerisht zotit Berisha nuk jam aspak i gatshëm të pranoj zvarritjen e dialogut në pafundësi. Jo sepse unë s'kam durim, përkundrazi, por sepse thellimi i krizës po bëhet i padurueshëm për shqiptarët dhe opozita e këtij vendi nuk përfaqëson interesat e mia, po interesat e të gjithë shqiptarëve", - përfundon deklarata e z.Rama.
e.r/NOA