English

Filluan Lojërat Olimpike Dimërore në Vankuver

Vankuver 14 Shkurt - Ceremonia e hapjes me ndezjen e flakës olimpike në Vankuver të Kanadasë iu kushtua rrëshqitësit gjeorgjian Nodar Kumaritashvili, i cili u aksidentua dhe vdiq gjatë stërvitjes në pistën e shpejtësisë së lartë në Vistler.

Ceremonia e jashtëzakonshme e hapjes u zhvillua nën hijen e vdekjes tragjike të 21-vjeçarit, i cili humbi kontrollin mbi slitën, doli nga pista dhe u përplas me një pjesë çeliku. Gjatë ceremonisë festive disa herë u përmend kjo ngjarje tragjike.

U mbajt edhe një minutë heshtje. Vdekja tragjike e tij është e para në historinë e lojërave olimpike, që ka hapur debate të shuma edhe për sigurinë e sportistëve.

Pista olimpike në Vistler është spektakulare, për disa ekspertë edhe tepër e rrezikshme. Sportistët mund të arrijnë këtu shpejtësi deri në 155 kilometra në orë, që për gjerogjianin Nodar Kumaritashvili ishte vdekjeprurëse.

Rogge mbetet pa fjalë

Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, Jacques Rogge, ka shprehur keqardhje të thellë për këtë ngjarje tragjike. "Është kjo një ditë shumë e pikëllueshme për Komitetin Olimpik. Kemi humbur një sportist të ri, i cili ëndërronte pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike. Gjatë stërvitjeve përjetoi aksident fatal. Nuk kam fjalë t'i shpreh ndjenjat e mia", theksoi Rogge.

Lojërat e treta në Kanada

Lojërat olimpike në Vankuver, janë të tretat në Kanada - më parë janë mbajtur në Montral dhe Kalgari. Flakën olimpike e ndezën disa nga sportistët më të njohur të Kanadasë, legjenda në hokej mbi akull, Wayne Gretzky, basketbollisti Steve Nash si dhe sportistet e njohura të sporteve dimërore Nancy Greene dhe LeMay Doan.

Në ceremoninë përfundimtare ndodhi edhe një gabim teknik, pasi një prej katër shtyllave kryesore, ku duhej të ndizej flaka, nuk funksiononte.

Përgjegjësi e madhe e sportistëve

Jacque Rogge u bëri thirrje sportistëve që të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë, që u takon, sepse ata janë idolë të miliona njerëzve në mbarë botën.

Organizatorët dhe sportistët nga mbarë bota shpresojnë se megjithë ngjarjen tragjike në fillim, do të realizojnë ëndrrat e tyre - që të kenë lojëra të organizuara mirë dhe që në shtëpi të kthehen me ndonjë medalje. Deri me 28 shkurt në Vankuver do të startojnë rreth 2.700 atletë nga 82 vende, më shumë se kurrë më parë në historinë olimpike. Për herë të parë në lojërat olimpike marrin pjesë sportistët nga Pakistani, Gana, Peruja, Serbia, Mali i Zi dhe Kolumbia

Gjermania shpreson ruajtjen e pozicionit të parë

Mbajtës i flamurit gjerman gjatë ceremonisë së hapjes ishte fituesi i trefishtë olimpik në disiplinën e rrëshqitjes me bob, André Lange.

Në garën e parë të kualifikimeve për kërcime me ski, të gjithë gjermanët treguan një formë të mirë dhe u kualifikuan për garën finale.

Gjermania shpreson se do të mbrojë vendin e parë për nga numri i medaljeve, që ka fituar në Lojërat Olimpike në Albertville (1992), Nagano (1998) dhe Torino (2006)

Momente për histori

Ekipi gjerman në Vankuver mund të futet në histori. Rusia edhe më tej është në epërsi për nga numri i medaljeve të arta (121:119), por besohet se në Vankuver Gjermania ka më shumë shanse. Megjithatë, ekipi gjerman prej rreth 150 atletëve do ta ketë vështrië të ruajë vendin e parë. Ndër kandidatët për vendin e parë janë Kanadaja, SHBA-ja, Norvegjia, Austria...

Në Torino sportistët gjermanë fituan 11 medalje të arta, 12 të argjendta dhe 6 të bronzta. Vlerësohet se kësaj radhe do të fitojnë më shumë, por nuk dihet, nëse kjo mjafton për vendin e parë. /DW/

KOMENTE