Athinë, 14 Shkurt NOA - Një atentat mes shqiptarësh përfundoi me vrasjen e njërit prej tyre kurse tjetri u zhduk në drejtim të paditur, informon korrespondenti i agjencisë NOA.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Kipseli", në qendër të kryeqytetit grek, Athinë. Viktima është një djalë 27 vjeçar, emigrant nga Shqipëria, emri i të cilit nuk u konfirmua nga policia lokale.
I riu shqiptar gjeti vdekjen sot pasdite, disa orë pasi u qëllua me armë zjarri sot në orën 06.00 të mëngjesit, në rrugën "Fokionos Negri 18" në lagjen "Kipseli" të Athinës, bëri të ditur policia.
Megjithëse viktima u dërgua në spital, për shkak të plagëve serioze që kishte marrë në trup, ndërroi jetë para pak orësh.
"Shtetasi shqiptar u gjet në grahmat e fundit të jetës në qoshen e rrugës nga një banor i zonës i cili kërkoi ndihmë përmes telefonit", detajoi policia.
Dyshimet e para janë për një atentat të mirëorganizuar. Autori i cili dyshohet se është edhe ai shqiptar, pasi e ka qëlluar me dy plumba viktimën e tij, ka menduar se ai ka vdekur dhe janë larguar.
Mendohet se viktima është gjetur pak orë pasi është qëlluar me armë gjatë atentatit dhe vetëm pasi është parë nga një banor, i është dhënë ndihma mjekësore që rezultoi e pavlerë.
n.s/e.r/NOA