English

Lëvizja "Zgjohu!": Rikthimi i gjyqit për Albin Kurtin, provokativ

Prishtinë, 14 Shkurt NOA - Lëvizja Qytetare "Zgjohu!" me shqetësim të thellë pranoi lajmin për fillimin e gjykimit ndaj drejtuesit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti në lidhje me demonstratat e 10 shkurtit nga ana e autoriteteve të EULEX-it në Kosovë.

"Konsiderojmë që rihapja e këtij rasti në trevjetorin e vrasjes së demonstruesve Arben Xheladini dhe Mon Balaj është tendencioze dhe e drejtuar në adresë të gabuar. Përgjegjësia për përfundimin e kobshëm të demonstratave të 10 shkurtit, ku u vranë dy persona të pafajshëm dhe u plagosën e keqtrajtuan shumë të tjerë, i takon krejtësisht UNMIK-ut dhe njësitit policor rumun, pjesë e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë", - thuhet në qëndrimin e lëvizjes.

Sipas saj, riaktualizimi i këtij proçesi në trevjetorin e ngjarjes dhe në dyvjetorin e pavarësisë së Kosovës paraqet fyerje për çdo shqiptar kudo që jeton dhe është absolutisht i papranueshëm.

Lëvizja Zgjohu! e konsideron këtë hap të autoriteteve të EULEX si një përpjekje për shmangie të përgjegjësisë së UNMIK-ut për vrasje dhe plagosje të demonstruesve paqësor dhe fajësim të viktimave të dhunës së ushtruar nga ana e policëve rumun.

Për lëvizjen, ky hap i EULEX-it është sulm i drejtpërdrejtë kundër demokracisë, shprehjes së lirë, sundimit të ligjit, të drejtës së shprehjes së pakënaqësisë dhe është hap që legjitimon vrasjen e demonstruesve dhe shuarjen e demokracisë.

Me këtë hap, EULEX suspendon institucionet sovrane të Republikës së Kosovës dhe ushtron qeverisje diktatoriale dhe përjashtuese, konsideron Lëvizja Zgjohu!

Në këtë pikë ajo kërkon nga EULEX që ditë më parë të heq dorë nga ky proçes që shuan demokracinë në Kosovë duke mbyllur menjëherë ndjekjen e mëtejshme të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje! Albin Kurti dhe duke ftuar në përgjegjësi fajtorët për vrasje dhe plagosje - UNMIK-un dhe njësitin policor rumun.

a.b/r.b/NOA

KOMENTE