Tiranë, 14 Shkurt NOA/ Milena Selimi - "Manon Lescaut" shfaqet nga e diela premierë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit ora 19.00. Ajo do të vijojë dhe më 16, 18, 19 dhe 20 shkurt. E realizuar nga regjisori Nikolin Gurakuqi, kryevepra e Puçinit hap sezonin artistik për vitin 2010.
Bankieri interpretohet nga artisti i njohur Sidrit Bejleri, ndërsa vëllai i Manonit, Leskoja është Armando Likaj, që është bass.
Në rolin e Manonin interpretojnë sopranot Etleva Golemi, Irini Nikolla dhe Shpresa Beka.
Në krah të Manonit është djaloshi i dashuruar (de Grijë), kurse në rolin tjetër është tenori italian Lorenzo Decaro.
Të tjerë këngëtarë mbështetës janë Erlind Zeraliu, Denis Skuro, Jani Çekixhi, Manjola Konjari, Sofika Kola, Klodiana Laze, Genc Vozga, Roel Llupo, Bledi Hoxha, Sokol Tomorri.
"Manon Lescaut" është një opera me katër akte, një histori dashurie nga më të mrekullueshmet në repertorin e Operas botërore dhe me një fund tragjik.
Skenografi Genc Shkodrani ka punuar për skenën, ndërsa mjeshtër koncertues dhe dirigjent orkestre është Gianluca Martinenghi.
E mirënjohura Suzana Turku Kashara do të drejtojë korin, ndërsa dirigjent kori është Dritan Lumshi. Dirigjenti tjetër është Edmond Doko.
m.s/e.r/NOA