Në shënjestër të Prokurorisë punonjësit e korruptuar në sistemin e tatimeve dhe të doganave
Tiranë, 14 Shkurt - Me një zinxhir strukturash dhe përmes bashkëpunimit me struktura homologe në Ballkan organet e rendit në Shqipëri po përpiqen t'u kundërvihen korrupsionit me fondet publike, evazionit fiskal apo kompanive fiktive.
Shqipëria sa vjen e po bëhet një vend i vështirë për evazionin fiskal dhe ekonominë informale. Një zinxhir strukturash në mbrojtje të ligjit dhe bashkëpunimi i tyre strukturat homologe të Ballkanit Perëndimor po sjell uljen e fenomenit.
Prokurori Arben Kraja, kreu i Task Force në Prokurorinë e Përgjithshme, ne Tirane, thotë se në shënjestër të organit qendror të akuzës mbeten punonjësit e korruptuar në sistemin e tatimeve dhe doganave.
Për një luftë më efikase kundër korrupsionit, burimit të evazionit fiskal dhe ekonomisë informale, që nga fillimi i këtij viti në Prokurorinë e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë funksionon struktura Task Force. Ajo koordinon punën me strukturat homologe në kryeqytet dhe 6 rrethe kryesore të Shqipërisë: Durrës, Shkodër, Fier, Vlorë, Korçë dhe Gjirokastër. Prokurori Arben Kraja, kryetar i saj, thotë për Deutsche Wellen se fillimi është i mbarë: "Synimi ynë është të luftojmë korrupsionin. Ka një rritje të hetimit të rasteve të korrupsionit dhe rritje të besimi të publikut ndaj punës sonë. Natyrisht, pjesën më të madhe të denoncimeve për evazion fiskal e bën policia e shtetit, si struktura e specializuar, por shtetasit vijnë në radhë të dytë." thotë ai.
Korrupsion me fondet publike
Targeti kryesor në veprimtarinë e Task Force është sektori publik dhe kryesisht tenderët publikë, ku mundësia e të korruptuarit është më e madhe. "Vëmendja jonë është e përqendruar më shumë në sektorin publik. Edhe korrupsioni në sektorin publik është vepër penale por më pak i prekshëm nga ai në sektorin privat. Ideja mbizotëruese është që korrupsioni bëhet me fonde publike. Koncepti i punës në ekip, bashkëpunimi mes gjithë strukturave që merren me luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar ka dhënë rezultate pozitive.
Para drejtësisë nuk tentohet të çohen vetëm ata që quhen "peshqit e vegjël". Bëhet fjalë edhe për nivele të larta drejtuese duke filluar nga drejtorë drejtorie dhe përfunduar në rang zëvendësministrash, që kanë marrë vendim fajësie nga gjykatat për vepra penale, kryesisht të korrupsionit." - sqaron prokurori Arben Kraja.
Në sukseset e para të Task Force në Prokurorinë e Përgjithshme ka luajtur rolin e vet edhe bashkëpunimi me strukturat homologe të Ballkanit Perëndimor dhe ato të BE-së. Shembulli më i freskët është nënshkrimi kohët e fundit në Romë, i Memorandumit të Bashkëpunimit mes Prokurorëve të Përgjithshëm të Rajonit. "Janë krijuar disa rrjete rajonale prokurorësh që përfshijnë Ballkanin Perëndimor për të shkëmbyer përvoja dhe informacionin e duhur, në mënyrë sa më informale, në kuptimin e shmangies së burokracive." - thotë Kraja.
Rezultate në një terren të vështirë
Sinergjia në luftën kundër evazionit fiskal, rezultatet pozitive në muajt e parë të këtij viti në nivel kombëtar ndeshen me terrenin e vështirë të anonimitetit te subjekteve dhe të kompanive që bëjnë evazion fiskal.
Fran Rica, drejton Departamentin e Luftës kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ai thotë se strukturat e policisë kanë referuar në Prokurori gjatë vitit të kaluar 40 raste të evazionit fiskal. Por krimi ekonomiko-financiar gjen forma për të mbijetuar. Forma më e përhapur mbetet krijimi i kompanive fiktive.
"Krijohen kompani fiktive, që me dokumente të falsifikuara realizojnë aktivitet tregtar, por pastaj zhduken pasi lënë një evazion fiskal të përmasave të mëdha në tatime apo dogana, kryesisht nga kontrabanda." - sqaron Rica.
Kjo situatë vështirëson hetimet. "Përderisa ekonomia informale vazhdon të ekzistojë, kjo vështirëson hetimet pasi nuk gjejmë gjurmë dhe fakte të veprimtarisë." - shton prokurori Kraja.
Problem i madh kompanitë fiktive
Për nivelin aktual të ekonomisë informale nuk ka të dhëna zyrtare. Nini Mano, anëtare e shoqates së gazetarëve ekonomikë, rreshton disa arësye pse në Shqipëri vazhdojnë të ekzistojnë evazioni fiskal dhe ekonomia informale: "Janë fenomene të tranzicionit të gjatë nëpër të cilin kaloi Shqipëria dhe të një shteti të dobët. Por i rëndësishëm është trendi i reduktimit të tyre." - thotë ajo.
Lufta pa kompromis kundër korrupsionit e shoqëruar me zbatimin e ligjeve mbeten armët më të forta të TASK FORCE të dhe policisë së shtetit për të reduktuar në minimum evazionin fiskal dhe ekonominë informale. /Ani Ruci, DW/