Tiranë, 15 Shkurt NOA - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi prit sot Avokatin e Popullit, Ermir Dobjani, mandati ligjor i të cilit po i afrohet fundit kohor.
Pasi e falenderoi për punën e mirë gjatë gjithë këtyre viteve në shërbim dhe në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë, Presidenti e përgëzoi zotin Dobjani për përfundimin me sukses të mandatit të tij të dytë.
Duke shprehur edhe vlerësimet e institucioneve homologe ndërkombëtare, Topi theksoi se e konsideronte një vlerë të madhe krijimin e Institucionit të Avokatit të Popullit dhe përparimin e tij hap pas hapi.
"Puna e dobishme e këtij Institucioni të pavarur duhet të shërbejë si model dhe si nxitje që ju dhe pasardhësit tuaj të vazhdoni misionin e nisur", - tha Topi.
Kurse Avokati i Popullit, Ermir Dobjani i dorëzoi edhe një kopje të raportit vjetor që më parë ishte depozituar edhe në Parlament.
Dobjani duke siguruar se Institucioni i drejtuar nga ai do të vazhdojë punën me të njëjtin përkushtim, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e frytshëm që ka pasur Institucioni i Presidentit të Republikës me atë të Avokatit të Popullit, duke nënvizuar faktin se "ndihmesën dhe mbështetjen e Presidentit, edhe atë ta paraardhësve, e ka ndjerë nga afër, veçanërisht atë të Presidentit Topi."
e.r/NOA