Tiranë, 15 shkurt, NOA - Në Gjykatën e Lartë ka nisur sot gjyqi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për të siguruar pajtimin mes tij dhe Alketa Azizajt, e cila është njëra prej të dëmtuarve në tragjedinë e Gërdecit. Nëse kjo seancë dështon, atëherë Mediun e pret një tjetër proces gjyqësor.
Por banorja e Gërdecit, Alketa Azizaj, e cila e ka paditur ish-ministrin e Mbrojtjes nuk ka pranuar ta fal atë. Ky zhvillim i procesin gjyqësor ka sjellë dhe shtyrjen e gjyqit.
Kolegji ka vendosur të shtyj gjykimin duke bashkuar paditë që janë ndaj ministrit, Fatmir Mediu.
Ish-ministri Mediu vetë nuk është paraqitur në këtë seancë por përfaqësohet nga dy avokatët e tij mbrojtës, Petrit Serjani dhe Ardian Visha.
Kjo seancë pajtimore pason atë të datës 26 janar, ditë në të cilën i ati i 12-vjeçarit Roxhers Durda ka refuzuar ndjesën e Mediut, duke kërkuar kështu që të përballet në Gjykatën e Lartë, organ i cili pak muaj më parë pushoi dosjen penale ndaj tij.
Gjatë kësaj seance, Mediu u shpreh se ndjente përgjegjësi morale për shpërthimin e 15 marsit, por ka refuzuar të ketë përgjegjësi direkte për ngjarjen e rëndë.
n.e/NOA