Shkup, 15 shkurt, NOA - Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka deklaruar gatishmërinë e tij për t'u takuar kryeministrin e Greqisë, Jorgos Papandreu, për të diskutuar lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit të vendit të tij, i cili po e mban peng atë për proceset integruese. "Jam i gatshëm të takohem dhe të bisedoj me kryeministrin grek, Jorgos Papandreu, në çfarëdo kohe dhe në çdo vend", tha Nikolla Gruevski lidhur me një fakt të tillë. Sipas tij, zyrtarët në Athinë kanë lënë të kuptohet se propozimi i tij për bisedime "ishte pranuar, por data dhe vendi duhet të caktohen".
Këto komente të kryeministrit maqedonas u bënë para vizitës së planifikuar të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic, në Shkup, në përpjekjen më të re për zgjidhjen e mospajtimit për emër ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë. Janë mëse 19 vjet që këto dy vende përballen lidhur me çështjen e emrit, gjë që i kushtoi Maqedonisë edhe shtyrjen e anëtarësimit të saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut, për shkak të vetos që i vuri Greqia.
n.e/NOA