English

Hamarberg: Refugjatët mos kthehen në Kosovë, nuk ka kushte për t'i pritur

Gjenevë, 15 shkurt, NOA - Vendet evropiane duhet që të ndalin kthimin e detyrueshëm të refugjatëve në Kosovë, pasi shteti më i ri i Evropës nuk ka infrastrukturën e nevojshme për t'i pritur ata. Një deklaratë të tillë e ka vërë vetë komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Tomas Hamarberg, i cili ndër të tjera gjithashtu bëri thirrje për mbylljen e dy kampeve të refugjatëve të kontaminuara me plumb.

Disa ditë pas vizitës në Kosovë, Hamarberg shprehu shqetësime se disa qeveri evropiane ende po i detyrojnë refugjatët që të kthehen në Kosovë.

"I ftoj shtetet evropiane që t'i ndalin kthimet e detyrueshme deri sa Kosova të ofrojë kushte të duhura për jetë, kujdes shëndetësor, shkollim, shërbime sociale dhe punësim", tha Hamarberg.

Sipas tij, një numër refugjatësh kanë jetuar në vendet mikpritëse për vite me radhë, fëmijët e tyre kanë lindur atje, e flasin gjuhën rrjedhshëm dhe nuk kanë lidhje me Kosovën.

Deklarata të tilla të komisionerit të Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, bëhen në një kohë kur Gjermania dhe ndonjë shtet tjetër kanë nisur aplikimin e marrëveshjeve të nënshkruara me shtetin kosovar për kthimin në atdhe të personave që janë larguar në kohën e luftës.

n.e/NOA

KOMENTE