English

Karaxhiç: Luftën në Bosnjë e zgjati trafikimi i armëve

Sarajevë, 15 shkurt, NOA - Trafikimi i armëve në zonat e myslimanëve boshnjakë ka qenë faktori kryesor që ndikoi në zgjatjen e luftës së viteve 1992-95 në Bosnjë-Hercegovinë. Një fakt të tillë e ka bërë me dije ish-lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç në seancën dëgjimore kushtuar atij në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi.

Duke ua hedhur paqeruajtësve dhe organizatave humanitare, ai tha se ishin pikërisht ato që i kanë furnizuar me armë armiqtë e tij duke shkelur kështu embargon për armë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Karaxhiç në këtë mënyrë ka dashur të gjejë një argument mbrojtës në seancën e radhës të gjykimit ndaj tij me 11 akuza për gjenocid, krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit për rolin e tij në luftën në Bosnjë-Hercegovinë.

Bëhet fjalë për një luftë të ashpër në vendin mysliman të ish-Jugosllavisë, ku rreth 100 mijë njerëz u vranë dhe 2.2 milionë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre.

n.e/NOA

KOMENTE