Tiranë, 15 shkurt, NOA - Qeveria nuk ka pse ta konsiderojë si sukses marrjen e një borxhi, në një moment kur nuk është në gjendje të argumentoje se si do ta ndihmojë ekonominë shqiptare ky borxh i ri, i cili po paguhet nga xhepat e qytetarëve shqiptarë.
Me një akuzë të tillë i është drejtuar publikisht ministrisë së Financave, deputetja socialiste Mimi Kodheli, gjatë një konference për shtyp, lidhur me emëtimin e Eurobonove me një vlerë prej 300-350 milionë eurosh, rreth 200 milionë prej të cilave do të shkojnë për shlyerjen e një borxhi të mëparshëm, ndërsa pjesa tjetër për të financuar nevojat e buxhetit.
"Ministria e Financave e ka quajtur këtë operacion të huamarrjes publike të Shqipërisë një sukses, që do të ndihmojë ekonominë shqiptare, por në fakt ky borxh i ri provon edhe njëherë keqmenaxhimin e vazhdueshëm që i ka bërë ekonomisë së vendit qeveria e Sali Berishë", bëri me dije Kodheli.
Sipas saj, nëse investimet për të cilat flet Ministria e Financave janë të shëndetshme për ekonominë, perse nuk akomodohen nevojat për këto investime nga mbledhja e te ardhurave?
"Kjo sepse ka hyrë në fuqi deklarimi i TVSH për biznesin e vogël me xhiro mbi 5 milion lekë në vit. Me pak fjalë, marrja e një borxhi për të financuar nevojat e buxhetit do të thotë ose që qeveria gënjen për rritjen e të ardhurave, ose që organet tatimore nuk po i realizojnë të ardhurat", argumentoi më pas përfaqësuesja socialiste.
Sipas saj, "marrja e këtij borxhi është provë e qartë e keqmenaxhimit politik që i është bërë ekonomisë së vendit nga qeveria".
"Praktika e marrjes borxh për te lare borxhe te mëparshme është një praktike pa logjikë ekonomike, një praktikë e pastër piramidale që tregon se qeveria po sillet si Sudja me buxhetin e shtetit", përfundoi akuzat Kodheli.
n.e/NOA
.