English

Marjanne Graf, zgjidhet konsulle e Shqipërisë për Austrinë

Graz, 15 shkurt, NOA - Humanistja e njohur austriake, Marjanne Graf, me kontribut prej 20 vitesh në gjithë hapësirën shqiptare nga jugu në veri të Shqipërisë, si dhe në Kosovë, është nderuar si konsulle e Shqipërisë për Austrinë në një ceremoni solemne, ku merrnin pjesë personalitete të njohura austriake dhe shqiptare. Ishte një nga ceremonitë ku është shprehur gjithë mirësia dhe dashuria e kësaj humaniste që shpesh nderohet si "krajlica e malësore në kohët moderne" duke perifrazuar emrin që që dikur malësorët shqiptarë i kishin vënë humanistes angleze Edit Durham në fillim të shekullit të kaluara.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Edith Harxhi, zv/ministre e Punëve të Jashtme; Skënder Thaçi, drejtor Ekzekutiv i Shoqatës "Albania-aAustria partnerschaft"; Mark Ruçi, kryetar i Bashkisë Rubik etj.

Gjurmët e ndihmës së Graf janë tashmë tek mijëra familje shqiptare në ditët më të vështira në krahinat më malore të vendit, në ndihmën e pakursyer të kosovarëve të deportuar në vitin 1999, në qindra objekte social kulturore, në dhjetëra banesa sociale, në dhjetëra ndihma shëndetësore për njerëz në nevojë nga shtresat më të vuajtura, në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në kancelaritë europiane dhe botime të shumta kulturore, historike e turistike.

Graf vazhdon të jetojë në mes këtyre dy kombësive, sepse ashtu siç ka ndodhur me humanistë të mëdhenj të shekujve, prej afro 20 vitesh ajo është bërë më shqiptare se vetë shqiptarët, një emër i madh i gdhendur tashmë në Panteonin e Humanizmit njerëzor, një emër që po shkon natyrshëm drejt Çmimit Nobel Për Paqen.

Grac i Austrisë, vendi i lindjes së Graf, qyteti me katër universitete të shquara europiane, njihet si vendi ku u arsimuan figura të shquara shqiptare si kirurgu Frederik Shiroka, inxhinieri konstruktor Gjovalin Gjadri, gjuhëtari Eqrem Cabej, studiuesi Skënder Luarasi, poeti Lasgush Poradeci dhe shumë e shumë specialistë të të gjithë fushave, ushtarakë e sidomos prelatë të lartë të kishës katolike shqiptare, që i dhanë aq shumë kulturës dhe historisë kombëtare,është ndjerë më krenarë se kurrë teksa bija e tij është konsulle e një vendi mik si Shqipëria.

Marianne Graf ka një veprimtari të dendur sociale dhe humanitare si presidente e shoqatës së ndihmave "Albania-Austri partnershaft". Ajo është nderuar me shumë dekorata e tituj dhe pikërisht "qytetare nderi", për njësitë vendore; Fier, Mamurras, Rubik, Pukë, Drenës, Kosovë, Rrap, Qaf-Mali etj.

Mban medaljen më të lartë shtetërore me titullin "Medalja Nënë Tereza" në Shqipëri në vitin 1996, është nderuar me çmimet kombëtare austriake si "Jozef Krajner" në Austri 1999 dhe çmimi "Johani i Madh" si dhe "Gruaja e Vitit 2002", po ashtu dhe çmimin "Humanitar-2003", dorëzuar nga Gorbaçov dhe Helmut Kohl.

Njohja e mirë e gjendjes dhe pamja e dëshpëruar e këtij vendi, bënë që ky vend jo vetëm t'i hynte në zemër bamirëses austriake, por dhe e bindën për të marrë vendimin për ta ndihmuar këtë vend me përkushtimin më të madh, pavarësisht nga pasojat.

Graf e tërheq peisazhi shqiptar, "peisazhi i një vendi të virgjër dhe pafundësisht i bukur", por "që është treguar e tregohet i pamëshirshëm me banorët e vet", thotë ajo.

n.e/NOA

KOMENTE