English

Meta: Në rast se flitet për ultimatume, atëherë skemi më dialog

Tiranë, 15 Shkurt NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta paralajmëroi sot se në rast se flitet për ultimatume, atëherë skemi më dialog dhe qartësoi se "hapja e kutive ka të bëjë me zbatimin e Kushtetutës dhe parimeve të saj dhe të respektimit të vendimeve që Gjykata Kushtetuese ka dhënë".

Duke folur për zhvillimet aktuale politike në vend, Meta tha se përshëndeste nismën e Presidentit Topi për tryezën: "Mbështes çdo zgjidhje konstruktive, të logjikshme, parimore dhe kushtetuese që ndihmon në rikthimin e Opozitës në Parlament".

Meta u shpreh se duhet të gjendet një zgjidhje politike brenda kuadrit kushtetues të vendit: "Zgjidhje politike do të thotë që të ketë një kompromis, që opozita të marrë vendet që i takojnë përpara afatit të fundit kushtetues".

Këtu ai kujtoi se "Shqipëria ka një kushtetutë e cila siguron ndarjen e pushteteve dhe pushteti gjyqësor është një pushet i pavarur nga politika dhe nga qeveria".

Ndërsa sugjeroi se "pretendimet e opozitës janë çështje të cilat mund ti hetojë komisioni parlamentar hetimor".

Metës iu kërkua dhe një parashikim për vijueshmërinë e negociatave dhe u përgjigj: "Unë nuk dua të parashikoj se çfarë do të ndodhë dhe çfarë nuk do të ndodhë. Në çdo rast jam i bindur që kushtetuta do të zbatohet. Por do të ishte e rëndësishme dhe do të ishte një tregues pjekurie që të gjendej një zgjidhje politike brenda kuadrit kushtetues të vendit".

Në këtë kuadër, Meta kujtoi faktin se Shqipëria ka një axhendë të rëndësishme integruese përpara e cila nuk duhet të cënohet nga axhenda personale e cilitdo qoftë.

Ju jeni shprehur mjaft optimist për sa i përket zgjidhjes së ngërçit politik në vend. Ku e shikoni dhe ku e gjeni ju gjithë këtë optimizëm duke patur parasysh edhe rezultatet e para të tryezës së dialogut?

Është detyra jonë të jemi optimistë, njëkohësisht dhe të punojmë për zgjidhje pozitive dhe konstruktive. Unë dua të përshëndes qëndrimin shumë konstruktiv të Kryeministrit Berisha, të mbajtur në tryezën e organizuar nga Presidenti Topi me kryetarin e partisë Socialiste z. Rama, gatishmërinë e tij për të vlerësuar dhe për të mirëpritur të gjitha shqetësimet qoftë dhe në mënyrë të listuar nga ana e lidershipit të Partisë Socialiste dhe vullnetin për ti gjetur zgjidhje të gjitha pretendimeve të përfaqësuesve të opozitës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me raportet midis opozitës dhe maxhorancës.

Njëkohësisht, dua të vlerësoj edhe nismën e Presidentit Topi, gjithashtu edhe të inkurajoj Presidentin, në mënyrë që ashtu si palët, ka rënë dakord të bëjë përpjekjet e tij për të eksploruar të gjitha pikat e takimit të cilat bëjnë të mundur përfundimin e kësaj situate absurde dhe njëkohësisht funksionimin normal të opozitës në Parlament, të Parlamentit dhe gjithë institucioneve të tjera në funksion të axhendës integruese që ka vendi.

Ditën e shtunë u zhvillua një tryezë. A ndiheni ndopak i përjashtuar nga kjo tryezë dhe a do të ishit dakord nëse do të kishte një vendim mes dy palëve?

Unë jam në mbështetje të çdo zgjidhjeje konstruktive, të logjikshme parimore dhe natyrisht kushtetuese që ndihmon në rikthimin e Opozitës në Parlament, për një funksionim më aktiv dhe më të plotë të Parlamentit dhe në këtë drejtim Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur qartë në mbështetje të çdo zgjidhjeje konstruktive dhe çdo veprimi konstruktiv që shkon në këtë drejtim.

Ndërsa përsa i takon pyetjes suaj më konkrete, për hapje të plotë apo të pjesshme të kutive, mendoj se nuk kemi të bëjmë me çështje kutish, por kemi të bëjmë me një çështje që lidhet me zbatimin e Kushtetutës dhe parimeve të saj dhe të respektimit të vendimeve që Gjykata Kushtetuese ka dhënë në të kaluarën për sa i takon objektit të komisioneve hetimore parlamentare. Edhe Kryeministri Berisha u shpreh shumë qartë që është i gatshëm të pranojë gjithçka që ka të bëjë me raportet e opozitës me maxhorancën, por natyrisht çështjet të cilat janë gjykuar nga gjykatat mund të ndiqen vetëm në rrugë të mëtejshme gjyqësore. Çdo futje e politikës do të ishte një hap prapa për demokracinë dhe për shtetin ligjor në vendin tonë. Për çështje të tilla unë mendoj se kanë një rrugë e cila është rruga gjyqësore, megjithatë unë do të dëshiroja dhe një herë tjetër që të ecet në mënyrë konstruktive drejt një zgjidhjeje politike që respekton kuadrin kushtetues të vendit.

Si e shikoni rolin e Presidentit në këtë tryezë, nisur dhe nga ajo që thatë, a mendoni që meqë tryeza nuk solli rezultate konkrete do ishte më mirë që negociatat të zhvilloheshin në një nivel më të gjerë dhe me një përfaqësi më të lartë të tipit ndërkombëtar?

Unë besoj se Presidenti do të bëjë përpjekjet e tij, si deri tani, konstruktive, për të ndihmuar që të gjithë të orientohen në një mënyrë sa më pozitive për një zgjidhje e cila duhet të tregojë një pjekuri të klasës politike në vend dhe një ndjeshmëri ndaj axhendës së Integrimin Evropian që ka vendi ynë. Natyrisht, nuk mendoj që çdo gjë varet vetëm nga Presidenti. Duhet pjekuri nga të gjithë, aq më tepër kur vihet re që ka tendenca për të bërë presione të panevojshme dhe jashtë etikës ndaj Presidentit, të cilat nuk munguan as në ditën e Shën Valentinit.

Sa të mundshme e shikoni ju rikthimin e opozitës në Parlament dhe e dyta, një nga pretendimet e opozitës që tashmë është e panegociueshme sipas z. Rama është edhe hapja e kutive të votimit, në një situatë të tillë a mund të themi që rinisja e dialogut të bisedimeve me kreun e shtetit është e dështuar?

Duke iu referuar përpjekjeve konstruktive dhe pozitive, kam parasysh që të dy palët bëjnë përpjekje për të gjetur një zgjidhje sa më të pranueshme. Në rast se flitet për ultimatume, atëherë skemi më dialog por kemi të bëjmë me humbjen e logjikës dhe me përpjekje të qëllimshme për të krijuar një situatë krejtësisht të panatyrshme politike dhe institucionale. Pavarësisht nga këto lloj deklarimesh, kam bindjen se maxhoranca do t'ia gjejë zgjidhjen me përgjegjësi dhe me konstruktivitet pasi kjo është detyra e maxhorancës.

Ditët po kalojnë dhe po vjen 6 marsi, konsideruar si afati kushtetues për mbarimin e mandateve të Partisë Socialiste. Ju çfarë prisni, cila është pritshmëria juaj nga kriza tek Presidenti dhe e dyta, datën 6 mars z. Montobio e ka deklaruar si datë e rëndësishme për Shqipërinë në marrëdhënie edhe me Bashkimin Evropian, pasi pak më vonë në datën 11, ka një këshill që do të përgatisë mbledhjen tuaj të ardhshme në Bruksel në maj, e cila është një datë tjetër ë rëndësishme dhe siç thotë z. Montobio kjo ndodh vetëm një herë në vit. Si do të shkojë Shqipëria në këto tryeza në këto bisedime me Bashkimin Evropian, çfarë parashikoni?

Unë shpresoj se kjo do të kontribuojë për një zgjidhje politike duke respektuar kuadrin kushtetues të vendit para datë 6 mars. Jam i bindur që maxhoranca ka këtë vullnet dhe këtë preokupim dhe uroj që të gjithë aktorët e tjerë të sillen njëkohësisht më këtë përgjegjësi sepse Shqipëria ka një axhendë të rëndësishme integruese përpara e cila nuk duhet të cënohet nga axhenda personale e cilitdo qoftë.

Të ndalemi një moment tek folja "kontribuoj". Si do të kontribuoni, a keni marrë ndonjë kontakt me liderin e opozitës për të bërë një lloj negocimi me të, dhe nga qëndrimi i djeshëm duket sikur kundërshtari më i madh i z. Ramës jeni ju?

Unë nuk dua të merrem me deklarata inatçore, nuk jam këtu për të zbrazur mllefe, unë jam këtu për t'u bërë një apel gjithë palëve dhe sidomos përfaqësuesve të opozitës që të kuptojnë që nga ana e maxhorancës, duke përfshirë dhe LSI-në si pjesë e kësaj maxhorance, ekziston gjithë vullneti për të arritur një zgjidhje politike brenda kuadrit kushtetues të vendit. Për pretendimet e tyre, e theksoj dhe njëherë, kanë të bëjnë me çështjet e gjykatave. Ato sjanë çështje që kanë të bëjnë thjesht me kutitë por janë çështje që kanë të bëjnë me gjykatat, sepse janë gjykatat ato që kanë marrë vendime për pretendimet lidhur me problemet e numërimit apo rinumërimit, pra problemet e kutive. Për problemet e gjykatave ata janë të lirë ti drejtohen gjithë gjykatave në vend, përfshirë dhe Gjykatën Kushtetuese, siç i janë drejtuar edhe për raste të tjera. Ndërsa përpjekja e tyre për të implikuar maxhorancën apo qeverinë apo edhe parlamentin në çështje që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjykatave, mendoj se janë koncepte të vjetra politike. Shqipëria ka një kushtetutë e cila ka një parim shumë të rëndësishëm, ka një parim themelor atë të ndarjes së pushteteve dhe pushteti gjyqësor është një pushet i pavarur nga politika dhe nga qeveria.

A mund të bëni një parashikim për vijueshmërinë e negociatave?

Unë nuk dua të parashikoj se çfarë do të ndodhë dhe çfarë nuk do të ndodhë. Në çdo rast jam i bindur që kushtetuta do të zbatohet. Por do të ishte e rëndësishme dhe do të ishte një tregues pjekurie që të gjendej një zgjidhje politike brenda kuadrit kushtetues të vendit.

Konkretisht si politikan me eksperiencë çfarë mund të propozojë Ilir Meta për situatën aktuale?

Jam shumë dakord me propozimin që ka bërë z. Berisha. Opozita të listojë gjithë pretendimet e saj. Dhe për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me raportet mes opozitës dhe maxhorancës, të diskutohet dhe ti jepet zgjidhje me vullnetin më të mirë. Çështja e gjykatave nuk është dhe nuk mund të jetë çështje e maxhorancës dhe e opozitës. Çështjet e gjykatave janë çështje të gjykatave, ka nivele të tjera të gjykatave të cilave mund tu drejtohet kushdo që ka probleme ose mund ti drejtohet dhe Prokurorisë në rast se ka fakte për manipulime apo për cënime të procesit zgjedhor.

Çfarë mund të hetohet nga komisioni parlamentar hetimor?

Të gjitha këto janë çështje të cilat mund t'i hetojë komisioni parlamentar hetimor. Ky është një vullnet i shprehur prej kohësh, normalisht që janë ftuar të kenë edhe shumicën.

Çfarë do të thotë zgjidhje politike?

Zgjidhje politike do të thotë që të ketë një kompromis, një marrëveshje që opozita të marrë vendet që i takojnë përpara afatit që është lajmëruar si afati i fundit kushtetues.

Dhe një pyetje të fundit: Si e vlerësoni marrëveshjen e Romës me Tiranën mbi partneritetin strategjik dhe cilat do të jenë frytet e saj?

Nënshkrimi i marrëveshjes për partneritetin strategjik midis Shqipërisë dhe Italisë pak ditë më parë në Romë, pa diskutim që është një ngjarje shumë e rëndësishme e cila do të reflektojë në një mbështetje gjithnjë dhe më të gjerë e më konkrete për zhvillimin e vendit tonë por njëkohësisht edhe për Integrimin Evropian, ashtu sikurse jam i bindur që do të reflektojë edhe më gjerë sesa raportet midis Italisë dhe Shqipërisë.

Njëkohësisht, ky dokument shumë i rëndësishëm i partneritetit strategjik midis Italisë dhe Shqipërisë përforcon dhe njëherë tjetër rëndësinë dhe prioritetin që Shqipëria i jep marrëdhënieve me Italinë si dhe marrëdhënieve me vendet fqinje. Jam i bindur që ky dokument dhe kjo marrëveshje do të ketë një kontribut të rëndësishëm dhe përgjegjësi për gjithë zhvillimin dhe perspektivën integruese të Ballkanit Perëndimor.

FUND

KOMENTE