Gjirokastër, 15 shkurt, NOA - Situata e krijuar si pasojë e motit të keq paraqitet e rënduar ditët e fundit në qarkun e Gjirokastrës. Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet zyrtare, cipas të cilave në këtë rreth si pasojë e reshjeve të dëborës, lëvizja ndërmjet komunës Pogon dhe asaj Zagori kryhet me zinxhirë pasi trashësia e dëborës varion nga 25 centimetra deri në 30 centimetra. Ndërsa rruga rurale për në komunën e Lunxhërisë në rrethin e Gjirokastrës gjatë natës dhe orëve të para të mëngjezit ishte e bllokuar në segmentin e quajtur "Ura e Aznakut" si pasojë e daljes së lumit Drino.
Ndërkaq bëhet me dijeni se edhe në rrethin e Tepelenës si pasojë e reshjeve të dëborës komuna Buz është e bllokuar pasi trashësia e dëborës në segmentin e quajtur Qafa e Kiçokut-qendër e komunës Buz, ka arritur rreth 50 centimetra.
Ndërsa aksi rrugor rural për në qendrën e komunës Luftinjë, në segmentin e quajtur Kicaj është e pa kalueshme për shkak të shkarjeve të dheut.
Po ashtu, aksi rrugor nacional Tepelenë-Memaliaj, në vendin e quajtur Rune, në një segment rreth 5 metra gjatësi me drejtim lëvizje Tepelenë-Memaliaj ka fundosje të rrugës, ku është vështirësuar kalimi i automjeteve të mëdha, ku lëvizja për këto mjete kryhet me një kalim.
Aktualisht në këtë segment është duke punuar Drejtoria Rajonale e Rrugëve si dhe një patrullë e Qarkullimit rrugor por kryen shërbim .
Nga ana tjetër, në rrethin e Përmetit kemi vetëm komunën Frashër të bllokuar pasi trashësia e dëborës ka kaluar mbi 70 centimetra, kurse rruga rurale nga qytetit i Përmetit deri në vendin e quajtur zona e Bredhit, është e hapur.
n.e/NOA