Tiranë, 15 shkurt, NOA - Për herë të parë në vendin tonë do të kryhet matja e cilësisë së ajrit në ambientet e brendshme të ndërmarrjeve private. Bazuar në projektligjin e sapomiratuar në komisionin kuvendor të shëndetësisë, specialistët e shëndetit publik kanë të drejtë të monitorojnë ndërmarrjet e ndryshme për të parë ambientet e punës dhe kushtet që ofrojnë punëdhënësit, sa i sigurt është shëndeti i punëtorëve me të cilët ata kanë lidhur kontrata.
Drejtori i departamentit të Mjedisit në Institutin e Shëndetit Publik, Arben Luzati, thotë se, për këtë shkak janë blerë dhe 12 pajisjet e reja që do të shërbejnë për monitorimin e cilësisë së ajrit në të gjithë qarqet ku janë ngritur këto ndërmarrje.
"Monitorimi do të jetë i vazhdueshëm, jo vetëm për studime, sapo të kemi ankesa nga punëtorët, bashkë me mjekun e ndërmarrjes dhe kimistin do të shkojmë të masim cilësinë e ajrit", u shpreh Luzati.
Deri më sot specialistët e shëndetit publik nuk janë lejuar të kryejnë matje në ndërmarrjet private përveç se në rastet e veçanta kur kanë ndodhur aksidente me pasojë vdekje. Sipas shefit të Departamentit të Mjedisit në ISHP, doktor Arben Luzati, një shkak ka qenë pengesa nga ana e pronarëve të këtyre bizneseve.
"ne kemi dashur të hyjmë në ndërmarrjet private për të kryer studime mbi sëmundshmërinë profesionale por kemi hasur pengesën e pronarëve. Me pr.ligjin e ri, kemi të drejtë të vëzhgojmë kushtet nga afër si dhe të kryejmë studime të ndryshme për sëmundjet profesionale në vend", tha Luzati.
Në Shqipëri prej vitesh janë ngritur dhe operojnë pothuajse në të gjithë vendin linja prodhimi si këpucë, veshje etj. Por siguria e punonjësve të këtyre ndërmarrjeve asnjëherë nuk është mësuar pasi vetë ISHP nuk ka statistika të sakta të sëmundshmërisë së punëtorëve, si pasojë e ajrit të ndotu.
b.a/NOA