Tiranë, 15 shkurt, NOA - Në prag të dy-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, autori Enver Bytyçi ka përfituar nga rasti për të promovuar librin e tij me titullin "E drejta e vetëvendosjes: Rasti i Kosovës". I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe vetë ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri, sipas të cilit ky libër është një përmbledhje interesante në fushën e studimeve për këtë temë. "Në këtë libër, Bytyçi me argumenta historikë, gjeografikë, gjuhësorë, kultororë, etnikë dhe juridikë pasqyron të vërtetën e rastit të Kosovës dhe argumenton të drejtën për vetëvendosje. Sikurse theksohet edhe në libër, pavarësia e Kosovës si akt, si proces, si përvojë historike unikale ka dimensione shumë më të mëdha", tha me këtë rast ministri.
Sipas tij, para se gjithash, pavarsia e Kosoves është ngjarja më e madhe e shqiptarëve në historinë tonë kombëtare, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ajo shënon një epokë, një kthesë historike të pazakonte në zhvillimin e kombit.
"Siç përshkruhet dhe në librin që promovojmë, pavarësia e Kosovës ka pasur kosto njerëzore dhe materiale. Prandaj në këtë dy vjetor nderimi më i madh u përket dëshmorëve të lirisë, u përket luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantit të saj legjendar, Adem Jashari. Nderimi dhe lavdia u përket gjithashtu intelektualëve të shquar të Kosovës, liderëve politikë që udhëhoqën procesin e lirisë në njëzet viteve të fundit. Mirënjohje dhe respekt duhet të shprehim për përkushtimin paqësor dhe kontributin madhor për pavarësinë e Kosovës të presidentit historik, Ibrahim rugova", tha ndër të tjera Xhaferri.
Në fund, ai deklaroi se pavarësia e Kosovës e njohur nga 65 vende të botës, të cilat japin mbi 70 për qind të Produktit të Përgjithshëm në rang botëror, tashmë është një realitet i pakthyeshëm.
n.e/NOA