English

Pavarësia, UGK në tryezën "2 vjet shtet Kosove"

Prishtinë, 15 shkurt, NOA - Me rastin e 2-vjetorit të pavarësisë, Unioni i Gazetarëve të Kosovës ka organizuar sot një tryezë me titullin "Dy vjet shtet të Kosovës", i cili është mbajtur në Institutin Albanologjik. Të ftuar në panelin me këtë temë kanë qenë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Ibrahim Makolli, eksperti i integrimeve evropiane Avni Mazrreku si edhe analisti i mediave, Arbër Vllahiu.

Në fjalimin e tij, Kuçi është përqendruar në dy çështje të arriturat e vendet nga pavarësimi i saj si dhe për sfidat që ka pasur qeveria e Kosovë si dhe për prioritetet që do të këtë në të ardhmen.

"Kosova gjatë këtyre dy viteve ka pasur sukses duke themeluar bazën legale që duhet ta ketë një shtet, duke filluar nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kemi themeluar Ministrinë e FSK-së, Agjencinë Kosovare për Inteligjencës (AKI) dhe kemi bartur një varg kompetencash nga institucionet ndërkombëtare ne ato vendore. Po ashtu kemi themeluar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe kemi bërë akreditimin e ambasadave të Republikës së Kosovës në shumë shtete me rëndësi për vendin tonë", ka theksuar Hajredin Kuçi duke shtuar se qeveria e Kosovës ka ruajtur edhe tërësinë territoriale të vendit.

Nga ana tjetër, mësohet se në këtë panel Kuçi ka përmendur edhe ngritjen e shumë pagave që ka bërë qeveria e vendit duke filluar nga profesorët e UP-së, mjekët, policët, arsimtarët etj, sikundër ka folur edhe për sfidat që ka pasur Kosova si në aspektin ekonomik, integrimin e pakicave dhe pengesat që i janë bërë Kosovës në skenën ndërkombëtare.

"Sfidë ka qenë zhvillimi ekonomik i vendit, ruajtja e tërësisë territoriale, qasja e pakicave serbe etj. Ndërsa pengesë tjetër është pengesa e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e cila ka ndikuar në anëtarësimin e Kosovës. Nuk është problem numri i shteteve që e kanë njohur Kosovën por bllokimi në Këshill të Sigurimit nga ana e Rusisë", tha ai.

Në anën tjetër, nënkryetari i AKR-së Ibrahim Makolli punën e qeverisë së Kosovës brenda periudhës dy-vjeçare të pavarësisë së Kosovës e ka cilësuar të dështuar. "Përveç anëtarësimit të Kosovës në Fondin Monetar dhe Bankën Botërore, miratimi i Kushtetutës, simbolet e vendit, ligjet, njohjet ndërkombëtare për aq sa i kemi, kjo qeveri ka dështuar në punën e saj gjatë dy vjetarit të pavarësisë së Kosovës", tha Makolli.

Ai ka theksuar se dështimi më i madh i kësaj qeverie është mos shtrirja e autoritetit të vendit në gjithë Kosovën.

Ndërkaq i ftuar në debat ka qenë edhe profesori i integrimeve evropiane, Avni Mazrreku, i cili tha se integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është caktuar në Samitin e Selanikut të Greqisë.

Sipas tij Kosova duhet që të punoj shumë së bashku me të gjithë akterët që janë të përfshirë në proceset integruese që ajo sa më shpejt të afrohet me Bashkimin Evropian.

"Edhe pse Kosova nuk është njohur nga pesë shtete të Bashkimit Evropian, ajo do të ec drejt integrimeve dhe se të gjitha shtetet e Ballkanit perëndimor do të integrohen në BE, deri në vitin 2015", ka theksuar profesor Mazrreku.

Ndërsa sa i përket liberalizmit të vizave për Kosovën, ai është optimist se nëse të gjitha punët shkojnë sipas dinamikës së paraparë si të institucioneve vendore po ashtu edhe ndërkombëtare qytetarët e vendit, do të mund të udhëtojnë pa viza në një të ardhme jo të largët.

Ndërkaq gazetari dhe analisti i mediave Arbër Vllahiu duke folur për gjendjen e mediave pas shpalljes së pavarësisë tha se mediat janë kanë kaluar në një gjendje të vështirë dhe të pa qëndrueshme financiarisht të cilat shumë herë sipas tij janë detyruar të luajnë rolin e mediave të ‘Tepihut të kuq'.

"Mediat në Kosovë janë ende të brishta, të lëndueshme, të paqëndrueshme dhe si të tilla bëhen më lehtë të manipulueshme. Të manipulueshme jo vetëm nga pushteti vendor por edhe ai ndërkombëtar, të cilët bëhen donatorët dhe sponsorizuesit kryesorë të mbijetesës së gazetarëve dhe mediave në tërësi", tha Vllahiu.

n.e/NOA

KOMENTE