English

Promovim libri me rastin e 2 vjetorit të Kosovës

Tiranë, 15 shkurt, NOA - Kosova për dy ditë mbush dy vjetët e saj të Pavarësisë dhe me këtë rast në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës se Kosovës u promovua libri: "E drejta e vetëvendosjes: Rasti i Kosovës", me autor Enver Bytyçi.

Ministri Xhaferaj në kuadër të 2-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës theksoi se: "Zgjodhëm që këtë përvjetor ta përkujtojmë disi ndryshe nga vitet e tjera, duke promovuar librin "E drejta e vetëvendosjes: Rasti i Kosovës", të autorit Enver Bytyçi. Dhe megjithëse ky libër është një përmbledhje interesante në fushën e studimeve për këtë temë, dua të theksoj se pavarësia e Kosovës si akt, si proces, si përvojë historike unikale ka dimensione shumë më të mëdha".

Vetë autori i librit Bytyçi shtoi se: "Kur nisa të shkruaj këtë libër dhe kur e përfundova atë, pavarësia e Kosovës nuk kishte mbërritur. Por më vjen mirë që shumë parashikime të hedhura në këtë libër kanë rezultuar si alternativë e zgjidhjes. Shkrimi dhe botimi i këtij libri nuk ishte ndonjë përpjekje për të bërë hipokritin, përkundrazi, ishte një mision për ta rrënuar sa të ishte e mundur hipokrizinë. Nuk ishte një mundim për të shkatërruar falsitetin e historisë, ishte një përpjekje për të shkuar te e vërteta. Makineria propagandistike e Serbisë na kishte faturuar ne shqiptarëve antivlerat dhe anticivilizimin. Fatkeqësia e të qenit emigrant politik në Gjermani më dha shansin të bija në kontakt me këtë lloj diversioni shovinist, e më pas të hidhja në libër diçka serioze për të ngritur vlerat e shqiptarëve mbi antivlerat, të cilat i kishin servirur shkenca, Akademia, Kisha dhe shteti serb, pra, të vërtetën mbi trillin, realitetin mbi falsitetin.

m/s/NOA

KOMENTE