English

Topi: Kosova pas dy vjet pavarësi, të rritet numri i njohjeve

Tiranë, 15 shkurt, NOA - Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, në një intervistë dhënë agjencisë së lajmeve "Kosova Press", ka paraqitur opinionet e tij në prag të 2-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Vlerësimet mbi arritjet e deritanishme të shtetit më të ri të Evropës dhe synimet për të ardhmen.

Zoti President, Kosova dhe pak ditë feston 2-vjetorin e pavarësisë, si e shihni ju këtë vend 2 vjet pas shpalljes së pavarësisë? - Së pari dua t'ju falënderoj për mundësinë e shprehjes në këtë intervistë në kuadrin e dyvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Natyrisht është një ditë, e cila do të jetë e pashlyeshme në jetën time. 17 shkurti i vitit 2008, i shumëpritur, por dhe i përjetuar në mënyrë shumë emocionuese. Ajo ditë përcaktoi në mënyrë definitive fatin dhe perspektivën e qartë të Kosovës: shtet i lirë, sovran, i pavarur dhe një shtet, i cili e ka perspektivën e tij të qartë në rrugën euro-atlantike.

Unë kam pasur rast të përjetoj edhe vigjiljen e shpalljes së pavarësisë pasi do të mbetet e pashlyer vizita e parë zyrtare në Kosovë në janarin e vitit 2008, vetëm pak ditë përpara shpalljes së pavarësisë dhe një vit më vonë, në janarin e vitit 2009 unë isha sërish në Kosovë, kësaj radhe si Presidenti i parë i një shteti që viziton Kosovën si një shtet i lirë, i pavarur, që vjen rreth një date, e cila do të mbetet në historinë jo vetëm të Kosovës, por dhe të popullit shqiptar si një datë e pashlyer dhe një pikë reference e jashtëzakonshme, që do t'u tregohet brezave në të ardhmen.

Sot unë kam rastin t'ju jap përshtypjet e mia, të cilat nuk vijnë si përshtypje thjesht individuale, por vijnë si pasojë e një pozicionimi të qartë institucional në kontakte me shumë faktorë politikë, në kontakte me mjaft personazhe të të rëndësishëm të politikës botërore, të cilët përgëzojnë institucionet e Kosovës; përgëzojnë ritmin e ecjes drejt një shteti me standarde bashkëkohore, ku në fokus është pikërisht motivacioni, dëshira e madhe që institucionet e Kosovës, lidershipi politik, partitë politike në përgjithësi dhe shoqëria e Kosovës kanë arritur të projektojnë në mënyrë definitive: ndërtimin e një shteti multietnik, çka do të thotë që pavarësisht nga traumat e së kaluarës ky popull vital, martir, por edhe modern di të ngrejë të ardhmen e një shteti, që detyrimisht do të dijë të veprojë me standardet e botës euro-atlantike.

Ajo që unë ndjej dhe që e konstatoj çdo ditë në çdo takim timin, ku mund t'ju them pa asnjë lloj rezerve, se një pjesë shumë e rëndësishme e axhendës është edhe inkurajimi i njohjeve të reja për Kosovën, shoh që Kosova ndryshe nga ç'ishte perceptuar nga disa skeptikë sot nuk është më një pikë e dobët e situatës në Ballkan. Përkundrazi është një moment, i cili konsiderohet si faktor i një sigurie e një paqeje më të spikatur në rajonin tonë. Pjesëmarrja e autoriteteve të Kosovës dhe e Presidentit Sejdiu në tryeza e në takime që nuk konsiderohen thjesht bilaterale, por edhe rajonale është kontribut i drejtpërdrejtë i angazhimit të autoriteteve të Kosovës për të qenë pjesë e politikave të paqes dhe sigurisë rajonale.

Dëshiroj të them këtu që Presidenti Sejdiu ka qenë pjesë e rëndësishme edhe e një takimi që është zhvilluar në Vlorë pikërisht në muajin qershor të vitit 2009, me iniciativën time për të sjellë në një tryezë edhe Presidentët e Maqedonisë e Malit të Zi, dy vende, të cilat kanë njohur Kosovën si shtet i pavarur. Janë dy vende fqinje, të cilat janë edhe vende kontribuese për rritjen e dialogut. Kam rastin të them që duhet përshëndetur edhe politika e Kroacisë, në mënyrë të veçantë e Presidentit të mëparshëm, zotit Stipe Mesiç, i cili ka qenë shumë i ndjeshëm në ndërtimin e këtyre raporteve, gjë që u dëshmua dhe me vizitën e tij në Kosovë dhe më dëshirën e tij për të pasur edhe Presidentin Sejdiu nëpër tryezat e Ballkanit.

Unë pas pak ditësh do të jem sërish me Presidentin Sejdiu, tashmë në Zagreb për të marrë pjesë në ceremoninë inagurale të Presidentit të ri Josipoviç, i cili ka dëshmuar edhe në deklaratat e para, se dëshiron që të jetë vazhdues i kësaj linje të bashkëpunimit dhe konsiderimit të Kosovës, patjetër si një pjesë shumë e rëndësishme e zërit politik rajonal. Zoti President, pavarësisht se Kosova po përballet me mungesë njohjeje, ose shumë të ngadaltë, sa mendoni që politika shqiptare dhe politika e Prishtinës zyrtare ka arritur sensibilizimin dhe ka arritur të depërtojë në vendet të cilat nuk e kanë njohur që ajo të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur? - Pyetja juaj është interesante dhe e drejtpërdrejtë . Unë mund t'ju them se ajo që ne konstatojmë është që aktorët institucionalë në radhë të parë të Kosovës, por edhe ata të Shqipërisë në të gjitha takimet frekuente që kanë me faktorin ndërkombëtar, e sjellin si një pjesë të rëndësishme të axhendës së diskutimeve, nevojën për njohje të reja të Kosovës.

Natyrisht, konjuktura ndërkombëtare është shumë komplekse. Unë kam rastin t'ju them që partnerë, të cilët e ndjejnë se mund ta njohin Kosovën, kanë vështirësitë dhe situatat e tyre specifike, ndonëse ne vazhdimisht e kemi thënë që Kosova nuk ka ngjashmëri me situatën që keni me vendin, apo rajonin tuaj dhe e kemi konsideruar Kosovën si një rast "sui generis" në të gjithë specifikën e saj.

Ka lëvizje diplomatike, politike edhe aty ku ne kemi pasur pamjaftueshmëri të këtij aksioni politik dhe diplomatik. Sot është zgjeruar harta politike e interesit për të njohur Kosovën, qoftë në Azi, qoftë në kontinentin afrikan, latino-amerikan dhe kuptohet ne shkojmë në një sinergjizëm të plotë edhe me rolin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, në radhë të parë të vendeve kryesore të Evropës, të SHBA-ve për të pasur një lloj sintonizimi në zërat tanë, që vendet që nuk e kanë njohur, që nuk kanë arsye substanciale për ta kundërshtuar, ta njohin, si dhe për ta bërë Kosovën një pjesë të rëndësishme edhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sa ka ndikuar në mosnjohje lobimi i politikës serbe? Sa ka reflektuar negativisht në aksionet që kanë ndërmarrë edhe politikanët e Kosovës edhe ata të Shqipërisë? - Është mëse normale që në një situatë të tillë, kur Serbia e konteston statusin e pavarësisë së Kosovës të kemi zëra kundër, çka do të thotë që politika serbe ka qenë shumë aktive në planin e kundërshtimit të njohjeve të reja të Kosovës, por ne kemi pasur mundësinë të shohim një diplomaci aktive në të kundërtën, për të neutralizuar të gjitha insinuatat dhe besoj dhe të gjithë informacionin negativ që vjen nga politika e Beogradit, për të paraqitur situatën në Kosovë si një situatë eksplozive, si një situatë e cila nuk ka shanse që të japë stabilitet rajonal.

Të gjitha këto kanë qenë pjesë e politikës dhe diplomacisë serbe që kundërshton në të gjitha mënyrat pavarësinë e Kosovës. Sot bota e qytetëruar, qoftë ajo politike-diplomatike sa vjen e ndërgjegjësohet, edhe ata që janë në distancë nga rajoni ynë. Po shihet që, përderisa shtete shumë të rëndësishme të botës demokratike kanë njohur Kosovën, sot kemi një mision të BE-së që është i pranishëm, kjo patjetër që sjell shumë mundësi të reja që këto njohje të shtohen. Përveç lobimit anti-Kosovë në shtete të huaja, Serbia gjithmonë ndikon edhe brenda Kosovës, sidomos luan me kartën e serbëve që jetojnë brenda. Ju thatë që politika e Kosovës ka arritur që të krijojë një shtet multietnik. Megjithatë integrimi i serbëve po mungon. - Unë mund t'ju them që janë bërë të gjitha përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri multietnike. Askush nuk ka thënë që kjo është arritur në perfeksion, sepse jemi në stadet e para të ndërtimit të kësaj politike. Kjo po bëhet me vullnet dhe unë e di fare mirë që Kosova sot ka problemet e veta, ka probleme që lidhen me konsolidimin e institucioneve, me pjesëmarrjen e serbëve në jetën aktive të këtyre insitucioneve për të përfaqësuar atje edhe interesat e popullsisë serbe.

Nga ana tjetër për të rritur ekonominë, për të rritur investimet e huaja që do të vijnë në Kosovë, që padiskutim janë të domosdoshme, unë shoh që është një proces, i cili nuk mund të vijë menjëherë, pra sa më e stabilizuar që të jetë Kosova, sa më garanci të japin institucionet aq më shumë do të shtohet besoj edhe qetësia tek serbët e Kosovës për të pranuar për të jetuar në atë Kosovë që konsiderohet si një shtet multietnik. Besoni që shteti serb duhet të mos ndikojë tek serbët në Kosovë për destabilizim të Kosovës? - Unë këtë e kam thënë dhe vazhdoj ta them. Natyrisht që ne bëjmë deklaratat tona politike. Kërkojmë që Serbia të mos influencojë nëpërmjet konsolidimit të strukturave paralele, por natyrisht është në optikën dhe vizionin e politikës serbe, e cila do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe nëse ne shprehemi në të kundërt. Ne do të vazhdojmë patjetër që të japim vizionin tonë. Është një vizion shumë demokratik, europian që politika serbe duhet t'u largohet provokimeve, sidomos në veriun e Kosovës dhe dua të jap mesazhe inkurajuese, që edhe popullsia serbe ne Kosovë të bashkëjetojë me popullsinë shqiptare, sikurse janë edhe modelet e vendeve evropiane sot, që etni të ndryshme, përkatësi të ndryshme jetojnë në një Evropë të bashkuar, pa kufij dhe pa komplekse të së kaluarës. Ne këtë e kemi inkurajuar dhe padyshim do të vazhdojmë ta inkurajojmë. Kryeministri dhe Ministri Jashtëm i Shqipërisë kanë paralajmëruar një afrim ose një bashkëpunim më të mirë me Beogradin zyrtar. Sa do të reflektojë ky përafrim në raport me Kosovën? - Së pari, ka linja të përgjithshme të një politike ku ne mendojmë të përfshihen të gjitha vendet e Ballkanit. Natyrisht çdo politikan, çdo shtet duhet të bëjë detyrat e veta, që t'i kontribuojë paqes dhe dialogut rajonal. Ne inkurajojmë dialogun dhe natyrisht jemi kritikë aty ku ky dialog cënohet nga deklarata ultranacionaliste dhe kjo është dëshmuar edhe në tryezat e zhvilluara kohë më parë, ku është parë edhe një tendencë e shprehur e politikës serbe për t'u kthyer në retorikat ultranacionaliste.

Në disa raste, janë kundërshtuar nga një politikë e moderuar e liderëve të tjerë të rajonit, pra, rajoni ynë sot duhet të imponojë që mentalitete të vjetra të lidhura me retorika të betejave, që u kanë shkaktuar shumë drama popujve të Ballkanit, patjetër të dalin jashtë mode dhe të gjithë së bashku t'i afrohen një politike të bashkëpunimit në interes të vendeve dhe popujve tanë. Ju bëtë një pyetje që si do të jetë fryma.

Natyrisht ne inkurajojmë një frymë bashkëpunimi me të gjitha vendet, por nga ana tjetër japim dhe qëndrimin tonë të qartë. Askush nuk mund të bëjë politikë me ambiguitet, pra me dy linja. Në rast se ne inkurajojmë që edhe Serbia të bëhet pjesë e botës evropiane, ajo duhet të pranojë edhe vendimet që ka marrë bashkësia europiane, të njohë Kosovën si shtet të lirë, Sovran, të pavarur. Nuk mund të ketë politika të dyfishta. Nga njëra anë kërkon të anëtarësohesh në BE, nga ana tjetër kundërshton politikat bazale të komunitetit evropian, që kanë të bëjnë me Kosovën. Duke pasur parasysh këto që thatë, besoni se Serbia shpejt do ta pranojë realitetin se Kosova është shtet? - Unë nuk besoj personalisht… Nuk mund të bëj deklarata, të cilat nuk i ndjej. Nga ajo që unë shoh, e parë edhe në kontekstin e interpretimit që bën politika serbe, nuk besoj se Serbia do të pranojë realitetin që është krijuar në Kosovë, por është shumë e rëndësishme që të rritet sa më shumë numri i atyre vendeve që e njohin këtë realitet dhe pastaj ai që dëshiron të mbetet i izoluar në mendimet e tij, le të mbetet. Kosova si shtet i ri normalisht që ka nevojë edhe për përvoja të tjera përveç ndihmës në njohje, në përvoja shtet-formouese. Sa ka arritur shteti shqiptar që të ndihmojë Kosovën që të krijojë kapacitetet e duhura për të jetuar apo për të funksionuar si shtet? - Unë besoj që sot është vendosur një funksionim shumëdimensional. Sot komunikojnë të gjitha institucionet: institucioni i Presidentit, qeveria, dialogu parlamentar është rritur ndjeshëm, komisioniet parlamentare, institucionet e tjera kushtetuese, vizitat janë të shpeshta, ne vijmë atje, institucionet e Kosovës vijnë këtu, pra shkëmbejmë eksperiencë. Por, besoj që eksperienca me institucionet e Kosovës nuk kufizohet vetëm nga eksperienca me institucionet e Shqipërisë, sepse sot Kosova është pjesë e një realiteti evropian, kështu që edhe ne, edhe institucionet e Kosovës mund të marrim eksperiencë në institucionet e Evropës, për të mundësuar aplikimin sa më shpejtë që të jetë e mundur të atyre standardeve, dhe sot standardet janë të unifikuara si në Shqipëri, si në Bruksel, e patjetër ashtu do të jenë edhe në Kosovë. Edhe Kosovën, edhe Shqipërinë e ka përfshirë një perceptim: janë duke u përballuar me krimin e organizuar dhe me kontrabandën. Sa kanë arritur dy shtetet që të luftojnë këtë dukuri duke marrë parasysh që të dyja kanë synim integrimin në BE dhe këto fenomene duhen parandaluar? - Unë besoj që politika e sigurisë rajonale është ajo që mbizotëron në marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit dhe në mënyrë specifike midis Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo, për të krijuar një terren sa më të qetë kundër krimit të organizuar dhe mund t'ju them që strukturat e Shqipërisë dhe Kosovës janë pjesë e infrastrukturës kundër terrorizmit ndërkombëtar, kundër krimit të organizuar, kundër kontrabandës. Ka dhe marrëdhënie midis institucioneve specifike që merren me këtë punë, ka një shkëmbim eksperience dhe një unifikim të praktikave të luftimit të këtyre fenomeneve që destabilizojnë vendin. Unë besoj që situata është nën kontroll dhe bashkëpunimi është shumë i frytshëm. A i shihni këto dy vende bashkë në BE, apo njëra do të ecë më përpara? - Unë do të dëshiroja, e nëse do të mbetej në dëshirën time, do të doja që të ishte e njëjta ditë, e njëjta orë, që ne së bashku të ishim pjesë zyrtare e institucioneve europiane. Këtë s'e kemi në dorë ne, këtë e kanë vendet që na monitorojnë.

Unë dëshiroj që Kosova të bëjë hapa shumë të rëndësishëm, përsa i përket konsolidimit të institucioneve, rritjes ekonomike dhe besoj që nuk do të jetë e largët dita që vendet e rajonit të futen, sikurse është një plan nga Kryeministri i Greqisë, Papandreu dhe i përqafuar edhe nga institucione dhe shtete të tjera, që vendet e Ballkanit të futen "en bloc" në vitin 2014 në BE. Uroj që kjo të realizohet, sepse do të jetë një ditë shumë e shënuar si për Shqipërinë, ashtu edhe për Kosovën.

"Kosova Press"

KOMENTE