Elbasan, 15 shkurt, NOA - Dy mobilerive në qytetin e Elbasanit u është vënë zjarri dhe për një fakt të tillë, grupi hetimor dyshon se ai ka qenë i qëllimshëm. Lajmi konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA, nga burimet policore të Elbasanit, sipas të cilave këto mobilieri figurojnë të jenë në pronësi të personave me inicialet S.M, 56 vjeç dhe E.B, 29 vjeç. Nga veprimet e para proceduriale të kryera nga grupi hetimor i cili u paraqit menjëherë në vendngjarje, rezultoi se janë djegur disa mobilje si dyshekë, krevate fëmijësh dhe dhoma gjumi.
Mendohet se zjarri mund të jetë vendosur qëllimisht dhe po punohet për të përcaktuar shkakun e rënies së tij si edhe identifikimin e kapjen e autorit të ngjarjes.
Materialet iu kaluan prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshmë për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr", e cila parashikohet nga neni 151 i Kodit Penal.
n.e/NOA