Tiranë, 16 shkurt, NOA - Kryeministri Sali Berisha ka hedhur idenë e krijimit të një inspektorati të përgjithshëm për të kontrolluar inspektoratet e tjera që zbatojnë ligjin për bizneset.
Ky model i ri është mbështetur nga kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së sotme të Task Force-s për Reformën Rregullatore. Sipas njoftimit të kryeministrisë ky takim u ndal në reformën e thellë në sistemin e Inspektoriateve në Shqipëri dhe prioritetin që kjo reformë ka për qeverinë shqiptare.
Kryeministri Berisha nënvizoi se vendet e zhvilluara përdorin kryesisht grupimin maksimal të mundshëm të inspektorateve në ministri dhe ngritjen e një autoriteti qendror për inspektoratet apo një inspektorat i përgjithshëm. Sipas tij ky autoritet mbikëqyr jo tregun, por rregullat e inspektorateve dhe ka autoritet të qartë mbi to. "Kjo formë inspektorati",- theksoi Kryeministri Berisha, - "është më e zakonshme në vendet e rajonit, si në Slloveni, Rumani, Kroaci, vende, të cilat nuk kanë krijuar në mënyrë përfundimtare, ose janë në konsolidim e sipër, të një forme inspektorati që nuk intimidon bizneset, në të kundërt, garanton ndershmërinë në treg, vendos standarde që ndihmojnë konkurrencën e ndershme dhe të lirë. Modeli ka një synim; të ketë sa më pak korrupsion dhe kjo është e domosdoshme".
xh/NOA